Napoli-Hysaj, sot “ndahet shapi nga sheqeri”

9 Janar 2019
9:57
back button

Elseid Hysaj dhe Napoli, një "martesë" në krizë, që mund të përfundojë në divorc, për shkak se asnjëra palë nuk lëshon pe. 

Agjenti i Hysajt, Mario Giuffredi, ka kohë që ushtron presion për rinovim me rritje page, duke u munduar herë të qetësojë situatën e herë të japë sinjale largimi.

E vërteta është që Napoli nuk bie lehtë pre e presionit dhe i ka marrë masat në kohë, duke afruar në verë Malcuit dhe duke pasur disa alternativa.

Jo rastësisht, në pjesën e parë të sezonit Hysaj është aktivizuar gjithnjë e më pak, ndërsa në dhjetor ishte rregullisht në stol. 

Sot është në plan një takim mes drejtuesve të Napolit dhe agjentit të kombëtares shqiptare, ku do të sqarohen shumë gjëra, nga rinovimi që duket i pamundur dhe deri tek mundësia e shitjes së Hysajt.

Chelsea e do prej kohësh, por shifrat që përmend Napoli janë jashtë logjike, sepse asnjë klub nuk paguan 50 milionë euro e lart për Hysajn. Nëse Napoli ul pretendimet, gjithçka mbyllet në janar dhe kënaqen të gjithë. Përndryshe, Hysaj do "kalbet" në stol këtë sezon, falë lojërave të agjentit të tij. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit