NATA E ÇMENDUR: Racing heroik, fiton derbin e Avellanedas me 9 futbollistë. Diego Milito në delir (VIDEO)

10 Shkurt 2020
18:29

Nga Milano në Avellaneda janë thuajse 11 mijë kilometra distancë. Një fluturim i gjatë që mund të zgjasë nga 12 deri në 15 orë… E ndërsa dritat në “San Siro” nisën të shuhen me tabelën elektronike që tregonte Inter 4 dhe Milan 2 dhe atmosfera e gjitha zikaltër vazhdonte jashtë stadiumit, një tjetër derbi i zjarrtë po përgatitej të startonte në “Estadio Juan Domingo Perón”…

Racing-Independiente në ato anë është një përballje për të mos u humbur dhe vjen fill pas Boca-River si peshë kombëtare… Në “El Cilindro” dominonte ngjyra e kaltër, në një dekor spektakolar! Mbrëmje që nuk do të harrohet gjatë për bardheblutë, të cilët u detyruan që pjesën e dytë ta luanin me 9 futbollistë pas daljes me të kuq të portierit Arias dhe mbrojtësit Sigali…

E megjithatë, tifozeria e Racing nuk u dorëzua asnjë moment dhe shtyu ekipin drejt një triumfi heroik: në minutën e 86-të Marcelo Diaz u bë protagonisti absolut i Derbit të Avellanedas, duke shënuar golin që vulosi fitoren për skuadrën e ndërtuar edhe nga Diego Milito!

Pikërisht “El Principe”, drejtues i Racing, festoi si i çmendur te momenti i golit dhe vërshëllima e arbitrit për një sukses të paimagjinueshëm dhe që erdhi me zemër, guxim dhe dëshirë!

Një natë që Diego Milito nuk do të harrojë… Sepse pasi festoi nga larg suksesin e Interit “të tij” ndaj Milanit, festoi brenda “Cilindrit” të magjishëm suksesin në derbin e qytetit të tij… Ekstazë!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit