Anglia mposht Zvicrën me penallti, siguron vendin e tretë dhe 8 milionë euro

9 Qershor 2019
17:53
Denis Hakanaj
back button

Anglia ka mundur Zvicrën dhe ka fituar finalen për vendin e tretë të Nations League. Për të zbuluar fituesin e takimit të luajtur në Guimaraes ka qenë e nevojshme të priteshin penalltitë, duke parë se koha e rregullt dhe ajo shtesë janë mbyllur në barazim 0-0.

Anglezët kanë arritur të shënojnë në minutën e 84-t me Callum Wilson, por goli është anuluar pas ndërhyrjes së VAR për një faull të shkaktuar nga vetë sulmuesi i Bournemouth. Skuadra e Southgate ka shkuar afër golit edhe tri minuta para fundit të shtesës, por goditja e Sterling është ndalur nga shtylla dhe dy skuadrat janë drejtuar nga pika e bardhë. 

Lotaria e penalltive është fituar 6-5 nga përfaqësuesja e "Tre Luanëve" falë pritjes së Pickford ndaj Drmic. Përveç medaljes së bronzit, Anglia ka fituar edhe tetë milionë euro, shuma e përcaktuar nga UEFA për vendin e tretë të Nations League. Zvicra, nga ana tjetër, duhet të ngushëllohet me vendin e katërt dhe 7 milionë euro.

Ndërkohë, akti i fundit i Nations League do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, kur Portugalia dhe Holanda do të përballen në finalen e madhe, që do të zhvillohet në "Estadio do Dragao" të Portos.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit