NBA shpall më të mirët, Giannis “rrëmben” trofeun MVP

25 Qershor 2019
8:23
Telesport
back button

Basketbollisti grek Giannis Antetokounmpo fitoi sot trofeun MVP të sezonit të rregullt në NBA. Lojtari i Milwaukee Bucks mundi në këtë garë James Harden të Houston dhe Paul George të Oklahoma.

Juria e përbërë nga 100 gazetarë si dhe votimi i ardhur nga fansat përzgjodhën gjigantin grek në një ceremoni të zhvilluar në Los Anxhelos. Ai është njeriu që udhëhoqi Milwaukee në vendin e parë të renditjes në përfundim të sezonit të rregullt.

Antetokounmpo e mbylli sezonin e rregullt me një mesatare prej 27.7 pikësh, 12.5 rebound dhe 5.9 asist për ndeshje. Për fat të keq Milwaukee nuk arriti të shpallet kampion në Konferencën e Lindjes, pasi u mund 4-2 me ndeshje në finale nga Toronto.

Dua të fitoj titullin kampion sezonin tjetër dhe do të bëj gjithçka që është e mundur për t’ia dalë mbanë”, u shpreh Giannis në momentin që mori trofeun.

Trofeun “rookie” (debutuesit) e mori Luka Doncic, që luan me Dallas. Ndërsa trajneri i sezonit u shpall Mike Budenholzer, trajneri i Milwaukee. Për të dytin vit me radhë, Ruby Gobert (Jazz) fitoi çmimin e mbrojtësit më të mirë. Lojtari i gjashtë më i mirë u shpall Lou Williams i Clippers.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit