Ndaj Teutës mungojnë tifozët, Lerda: E kam provuar, ndjenjë e çuditshme!

4 Tetor 2019
11:41
Alfred Lleshi
back button

I mbijetoi derbit, duke marrë frymë paksa më lirisht. Renditja është revizionuar ndjeshëm, ndërsa kreu është më afër se kurrë në këtë kampionat. Tashmë, Franco Lerda mendon vetëm për Teutën. Kampionët në fuqi duan të kenë vazhdimësi, por kësaj here duhet të bëjnë pa tifozët. Dënimi i Disiplinës e mban larg “lojtarin e 12-të”, për të cilin ka nevojë çdo skuadër në futboll. Mes të tjerash, Lerda është ndalur edhe në këtë problem: 

“Ishte fitore e rëndësishme në derbi, sidomos në aspektin psikologjik. Ajo fitore na bën të kërkojmë vazhdimësi në rezultate. Teuta? Më duket në formë, renditet në dy vendet e para. E respektojmë kundërshtarin, por kemi besim te forcat tona. Teuta është një nga pretendentët kryesorë, por do të japim maksimumin që të fitojmë. Situata e lojtarëve? Telushi dhe Boldor janë stërvitur dhe do të jenë gati për ndeshjen e nesërme. E kam studiuar Teutën, e di si luan, por nuk kam ndërmend të veçoj ndonjë lojtar të saj. 

Teuta është mirë në mesfushë dhe në sulm. Ndaj nesh i mungon një mbrojtës i rëndësishëm. Sa i takon aspektit ofensiv, kundërshtari i radhës është i mirë. Unë e kam praktikë pune; i studioj krejt kundërshtarët me video. Ndeshja luhet pa tifozë? Do jetë një shqetësim serioz për ne, mungesa e tifozëve. Besoj se jemi gati ta përballojmë këtë situatë, të fitojmë edhe për tifozët ndaj Teutës. E kam provuar të luaj pa tifozë si lojtar dhe trajner, është një ndjenjë e çuditshme. A do të luajë Trashi? Do ta shohim në stërvitjen e fundit, pastaj do të vendosim. Besoj se do të bëhet gati për lojë. Dje nuk u stërvit me ekipin për shkak të goditjes që mori në kavilje. Edhe Boldor do të jetë në dispozicion.

Atmosfera pas derbit? Kur fiton një ndeshje të rëndësishme, mund të ketë gjykime të ndryshme, ndonjëherë edhe të paekuilibruara. Fitorja i vë kapakun gjithçkaje, por duhet t’i analizojmë gabimet që bën skuadra. Taktikisht bëmë një ndeshje të mire ndaj Tiranës. Në planin teknik bëmë disa gabime, kurse motivimin e kishim në shkallën maksimale”. 

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit