“Ndërrova mendje, dua të blej një klub në Angli”, ja si Abramovich u bë president i Chelsea!

13 Tetor 2019
15:12
back button

Roman Abramovich është president i Chelsea që prej vitit 2003. Që nga ajo kohë, londinezët kanë arritur të fitojnë 13 trofe, përfshirë këtu edhe Champions dhe Europa League.

Pronari i “Bluve” kurrë nuk e ka zbuluar se si u bë president i klubit nga “Stamford Bridge” dhe se çfarë e lidhi me Anglinë apo Londrën. Së fundmi, një gjë të tillë e ka treguar trajneri i famshëm Sven Goran Eriksson, me këtë të fundit që ka rrëfyer se si manjati rus u bë numri një i Chelsea.

“Roman donte të blinte një klub në Moskë dhe shkova atje për tre ditë. Pamë të gjithë alternativat dhe i thashë të blinte Dinamon. Ata kishin kushtet më të mira. Më pas, ika me pushime dhe më ra telefoni. Roman kishte ndërruar mendje dhe një njeri që e mbante si dorën e tij të djathtë, më tha se ai tashmë donte të blinte një klub në Londër. I thashë se alternativat ishin Tottenham ose Chelsea, por më parë e pyeta se çfarë donte të bënte. Ai më tha se donte të fitonte. Në atë moment iu drejtova. ‘Duhet të blesh Chelsean. Atje duhet të ndryshosh gjysmën e ekipit. Nëse blen Tottenhemin duhet ta ndryshosh të gjithë ekipin’”, përfundoi Eriksson.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit