Ndeshja e fundit me Shqipërinë? Reja ngre supet, paralajmëron “spastrim” të veteranëve po rinovoi

18 Nëntor 2022
15:28
Alfred Lleshi
back button

Edy Reja do ta drejtojë edhe nesër Shqipërinë, në miqësoren ndaj Armenisë. Kaq është e sigurt pë momentin. Këtu i mbaron kontrata ekzistuese, çka hap skenarë të padeshifrueshëm akoma për momentin. A do të jetë “sfilata” e fundit kuqezi e trajnerit 77-vjeçar italian të shtunën apo presidenti Armand Duka do t’i besojë edhe fushatën kualifikuese të “Euro 2024”?

Kjo dilemë do të zgjidhet shpejt, ndërsa Reja thotë se mendon vetëm për kundërshtarin e nesërm: “Sa i përket të ardhmes time, ne kemi folur shpesh. Por, nëse duhet të flasim për rritjen, e vërteta është se Shqipëria ka evoluar muaj pas muaji. Sa i përket kontratës, është diçka që e gjykon tjetër kush. Me skuadrën kemi bërë mirë në kaq kohë sa kemi punuar bashkë.

Rezultatet nuk kanë qenë fort të mira, realisht. Mund të përmendim ndeshjen me Izraelin. Duhet të kishim marrë më shumë pikë. Ne jemi penalizuar me episode të ndryshme të këtyre ndeshjeve. Mos të ishte për minutat shtesë, mund të kishim më shumë pikë. Më vjen shumë keq për këtë, sepse kemi humbur pikë. Më vjen keq për pikët.

Në aspektin personal dua të vazhdoj, por nuk jam unë që vendos për këtë marrëdhënie. Kampionati shqiptar ka elementë që janë vërtetë të vlefshëm dhe po mundohemi t’i ingranojmë. Nëse lojtarët e ndjenjë fanellën, tejkalohen aftësitë teknike. E kemi thënë gjithmonë që duhet të përmirësohemi në këtë aspekt, ndoshta është çështje mentaliteti. Mendoj se jemi përmirësuar. E pamë edhe me Italinë, sërish na ndodhi.

Më duket pak e çuditshme. I dimë mirë pikat e dobëta. Episodet bënë diferencën. Me Italinë kemi krijuar aq shumë raste për gol, por nuk shënuam. Edhe në aspektin mbrojtës treguam dobësi. Po flisnim pak me Hysajn për Immobile, është lojtar që futet në zonë dhe shënon. Nëse do të kishim një lojtar të tillë, do të ishte shumë e lehtë për ne. Është bërë një punë e mirë. Do të ishte e rëndësishme paraqitja e lojtarëve ndaj Italisë. Treguam se jemi një grup i mirë.

Normalisht në të ardhmen duhet të bëj disa zgjedhje definitive. Është dhe çështje brezi. Disa lojtarë duhet të largohen gradualisht. Kemi 40 lojtarë që i vëzhgojmë prej 2 viteve. Synimi ynë është arritja e “EURO 2024”. Po shohim lojtarë të rinj, është proçes i vështirë për të krijuar grupin e duhur. Koha në dispozicion është e pakët, pra deri në mars. Duhet punuar duke vlerësuar gjithë lojtarët e rinj. Futbollistët që duhet të vijnë, të vijnë me bindjen për të ndjerë fanellën. Unë do të jem i vendosur për të bërë zgjedhje definitive në këtë drejtim.

Armenia? Fiks bëhen 1 vit e 3 ditë nga fitorja e fundit me Shqipërinë. Më vjen keq se nuk jam mësuar me rezultate të tilla. Armenia është skuadër e rëndësishme. Dua të provoj sa më shumë lojtarë të rinj. Nuk dua të krijoj pritshmëri sa i përket rezultatit. Janë 3-4 lojtarë nga kampionati shqiptar dhe pres të bëjnë mirë në këtë takim. Është një ndeshje që vlejnë pikët dhe paraqet një rëndësi të madhe për ne.

1 vit e 3 ditë pa fitore? Sigurisht që unë e kisha programuar dhe më parë që do të provoj lojtarë të rinj. Disa lojtarë me Italinë nuk ishin mirë në aspektin fizik. Deri nesër në mëngjes do të bëj vlerësimet e mia. Për shembull Kumbulla, do të shihet nëse do të luajë. Sa iu përket të rinjve, Hadroji dhe Gurishta mund ta nisin nga fillimi. Muçi dhe Skuka do të luajnë për herë të parë nga minuta e parë. Jam i bindur që do të bëjnë një paraqitje të mirë. Emocionet bëjnë të veten.

Janë futbollistë që kanë treguar se janë shumë të mirë. Në kohët e sotme të gjithë të rinjtë janë të bindur se janë të fortë dhe kanë të drejtë të luajnë e të jenë titullarë. Por, në fakt duhet shumë durim dhe punë. Kur të vijnë në kombëtare të jenë të bindur që ta ndjenjë peshën e fanellës. Të rinjtë e sotëm i duan gjithçka shpejt, kjo është e gabuar. Në kombëtare nuk ke kohë të bësh eksperimente. Ata që do të ftohen, ata që vijnë pa dëshirë nuk do të jenë më pjesë e kombëtares.

Ndeshja e fundit? Sigurisht në këtë drejtim e ndjej si të veçantë dhe emocionuese. Nëse nuk do të jem trajner i Shqipërisë, jam i dashuruar me këtë vend. Kam parë Sarandën, Gjirokastrën. Janë qytete të mrekullueshme. Këtu s’janë vetëm plazhet, por edhe natyra është shumë e bukur.

Unë do të kthehem këtu, edhe për të parë ndonjë ndeshje. Ka shumë njerëz që më duan dhe më respektojnë. Do të doja të vizitoja dhe Krujën. Kam lexuar edhe disa libra për të njohur pak më shumë. E di që shqiptari bezdiset kur i fluturon dhe një mizë afër. Karakterin e luftës me Turqinë do të doja ta tregonin edhe me kombëtaren në fushë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit