“Ndeshja e solidaritetit” përçan kuqezinjtë, shpërthen Sokol Kushta

9 Janar 2020
14:34
Alfred Lleshi
back button

“Ndeshja e solidaritetit”, që do të luhet nesër në “Air Stadium”, prej orës 18:00, ka krijuar debate të mëdha mes ish-lojtarëve kuqezinj. Madje, i ka përçarë ata, sa reagimet ndaj organizatorëve janë tejet të ashpra për përzgjedhjen e lojtarëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë. Pas Rudit Vatës ka ardhur edhe shpërthimi i Sokol Kushtës, ish-sulmuesit të njohur kuqezi. Përmes faqes së vet në Facebook, legjenda e futbollit vlonjat, por jo vetëm, ka shkruar: “Duke dëgjuar përditë lajme, shkrime, mendime, jam i detyruar të pozicionohem. Duke ndarë pozitiven e këtij evenimenti me negative, dua të saktësoj se kam fol me shumë bashkëlojtarë. 

Shumica ishin dakort me këtë organizim, që presidenti Duka e ka mbështetur për të ndihmuar të prekurit e tërmetit, por s’më pëlqejnë disa përfitues, që duan ta trumbetojnë si arritje të tyre. Futbolli është krijuar si një lojë në grup. Mua më shqetëson ndarja dhe etiketimi, justifikimi i disa gabimeve. Të gjithë jemi rritur duke parë legjenda. Ato nuk lindën më 2004, por ndër vite. Mungesa e respektit është virtyt në Shqipëri dhe nuk shqetësohem fare,  as nga FSHF, as nga sindikata, gjoja e pavarur. Unë besoj se S.Bizi, Targaj, Musta, Muça, J.Kaçi, Zmijani, Jera, Josa, Kola, Demollari, Bellaj, Xhumba, Rud Vata, F.Vata, Lala e shumë të vjetër nuk kishin ndonjë dëshirë të madhe për të lozur. 

Thjesht donin respekt, mirënjohje, që brezi i ri ta njohë shumicën e brezit që erdhi, kur ishte kapiten Demollari dhe unë. U pritën nga ne, u ndihmuan dhe u përkrahën nga ekipi kombëtar në kohën më të vështirë nga këto emra që sot nuk figurojnë as për bileta. Shulku dhe shumë të tjerë, që luanin me Shpresat, e dinë vetë se çfarë ngrohtësie gjetën kur erdhën në kombëtare. Rudi Vata është dikushi dhe ka të drejtë kur flet për futbollin, për atë gjë duhet ta respektojnë. Të tjerat i zgjidh vetë ai.

Tani dy fjalë për sindikatën e varur, që bën të pavarurën. Sindikata është në oponencë me FSHF, me shtetin, me presidentët; jo zar i tyre. Unë s’kam parë një mbledhje, një organizim, një greve 24-orëshe minimum për qindra lojtarë të papaguar, për ligjin e sporteve që po vonohet, jo të mbajë krahun e presidentëve dhe FSHF. Dhe më e rëndësishme është si janë mbuluar shpenzimet e 80 lojtarëve që kanë ardhur. Nuk besoj se sindikata e pavarur të ketë forcë ekonomike ta mbulojë këtë eveniment pa ndihmën e FSHF”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit