Ndizet gara për 70 milionëshin e Serisë A, pas një muaji merret vendimi

14 Prill 2022
15:48
Denis Hakanaj
back button

E ardhmja e Sergej Milinkovic-Savic do të jetë më e qartë pas një muaji. Lazio po mendon ta shesë lojtarin kontrata e të cilit skadon në vitin 2024: nëse do të kërkojë të marrë maksimumin nga kartoni i tij, në verë mund të pranojë një ofertë të rëndësishme.

Pas shtatë viteve, Rreshteri, siç njihet ndryshe Savic, mund të thotë lamtumirë. Kryesisht sepse klubi duhet të bëjë një rithemelim. Plani dyvjeçar i përcaktuar në vitin 2021 duhet realizuar ose kompletuar nëpërmjet gjashtë ose shtatë blerjeve, ndoshta tetë.

Menaxheri i Sergej, Kezman, nxiton. Në 15-20 ditët e ardhshme do të ketë disa takime në agjendë nga të cilët do të vijnë ofertat që i duhen paraqitur drejtuesve të klubit. Dhe brenda një muaji do t’ia dërgojë presidentit Lotito.

Po sa vlen mesfushori? Dikush thotë 100 milionë euro, por vlerësimi i tij real duket se është rreth 70-80 milionë euro duke përfshirë edhe bonuset.

Në radhë të parë për të siguruar shërbimet e lojtarit janë PSG dhe Manchester United. Leonardo e ka vënë në shënjestër Milinkovic qëkur punonte te Milan-i. Verën e kaluar i është afruar shumë duke ofruar në këmbim edhe kartonin e Paoo Sarabia-s, sulmues spanjoll krahu, i huazuar më pas te Sporting Lisbon.

Në pronësi të francezëve është edhe portieri Sergio Rico, i cili pëlqehet shumë nga bardhekaltrit. Ndërkohë, në shtëpinë e United gjithçka varet nga e ardhmja e Pogba. Pas një jave do të zbulohet e gjithë e vërteta.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit