Ndoj ndjek hapat e Hysajt, por ka një kleçkë të madhe

15 Dhjetor 2018
13:24
Eraldo Harlicaj
back button

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Emanuele Ndoj, po bën mirë këtë sezon. Ndryshe nga edicioni i kaluar, 22-vjeçari është kthyer në titullar të rëndësishëm te skuadra e Brescias. Ai ka luajtur në 12 ndeshje dhe i ka nisur të gjitha nga minuta e parë e takimit. Shtatlarti ka fituar më shumë besim dhe ka marrë vëmendjen e tifozëve dhe presidencës.

Shqiptari synon që të bëjë një hap tjetër në karrierë dhe të largohet nga Brescia drejt një skuadre më të mirë. Mediet italiane kanë zbuluar se shqiptari mund të ndryshojë menaxher duke ikur nga Sokol Haxhia drejt agjentit të Elseid Hysajt, Mario Giuffredi. Një lëvizje që do të ishte shumë befasuese, pasi Ndoj ka shumë vite që punon me Haxhinë dhe ka qenë ky i fundit që ka kontribuar që karriera e tillë të mbetet në nivele goxha të larta.

“Tuttomercatoweb” e jep si të kryer lajmin, por nuk mund të ndodhë ashtu. Telesport ka zbuluar me burime pranë lojtarit se ai do të duhet të bëjë “prapa-kthehu” te menaxheri i tij Sokol Haxhia.  Mes palëve ekziston një prokurë ligjore që mund të thyhet në mënyrë të njëanshme vetëm nëpërmjet një dëmshpërblimi shumë të majmë. Një shifër që nuk mund ta përballojë Emanuele Ndoj dhe vështirë që Giuffredi të pranojë ta paguajë. Në kushte të tilla, mesfushori i Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet në duart e menaxherit shqiptar. Një marrëdhënie që nuk do të jetë si më parë mes palëve.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit