Ndreu: E merituam fitoren, ja pse kemi pasur luhatje në ndeshjet e fundit

3 Mars 2021
15:52
Alfred Lleshi
back button

Kastrioti fitoi 1-0 në Korçë. Suksesi mungonte prej tri sfidash radhazi, por erdhi sot ndaj kundërshtarit të vendit të fundit. Ramadan Ndreu u shpreh: “E kisha menduar se ishte ndeshje e vështirë, ishte finale për ekipin e Korçës. Vendësit do të ishin agresivë dhe do të jepnin maksimumin. Tentuam të bënim presing larg dhe të mos i linim të luanin me topin. E bëmë mirë këtë detyrë. Gjatë gjithë ndeshjes, Skënderbeu nuk kreu as një manovër. E merituam fitoren.

Me Apoloninë krijuam volum të madh loje, por ishte volum qendror. Sot bëmë dalje efikase dhe iu dhamë mundësinë sulmuesve të furnizoheshin me topa. Kemi punuar gjatë gjithë javës me topa anësorë, pasi vetëm nga krahët vijnë golat.

Objektivi? Kemi pasur disa luhatje. Në merkato nuk arritëm të gjejmë lojtarë mbi nivelin e atyre që kemi. 3-4 lojtarë na ikën, Bojom është i dëmtuar, edhe Plaku iku. Kemi edhe lojtarë të tjerë të dëmtuar, kjo na krijoi luhajtje në disa ndeshje. Sot u munduam ta freskojmë skuadrën në disa pozicione. Ishim të bindur se ata që luajtën do të ishin mirë fizikisht.

Nuk e kemi akoma kapacitetin për të përballuar tri ndeshje në javë. Vrapuam, ishim agresivë dhe luftuam në fushë. Ishim më mirë se kundërshtari. Në të gjitha analizat përpara ndeshjes deklaruam se i kemi mundësitë për të fituar. Skënderbeu është si gastarja, nëse e godet do të thyhet. Sot tentuam vetëm fitoren. Skuadrat në krye janë agresvie, përmirësohen nga java në javë. Mungesat na shkaktojnë problem, por ju premtoj se do të vazhdojmë deri në fund luftën, për t’i dhënë bukuri këtij kampionati, që deri tani e kemi zhvilluar të mire dhe pa kompromis”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit