Ndryshime rrënjësore te Luftëtari, ka dritë në fund të tunelit?!

13 Dhjetor 2018
10:39
Eraldo Harlicaj
back button

Luftëtari është në prag shkrirje dhe këtë nuk e mohojnë as vetë gjirokastritët. Pas ndeshjes së humbur me Kamzën, trajneri Gentian Mezani nuk foli për asnjë moment për futboll, por vetëm për problemet financiare që kanë pushtuar ekipin dhe u bëri thirrje drejtuesve që të veprojnë shpejt, pasi përndryshe futbollistët do të largoheshin. Trajneri dha alarmin e fundit, pasi futbollistët nën zë e kishin bërë prej kohësh. Ata mendojnë më shumë për të vazhduar karrierën në një ekip tjetër se sa për “hallet” e gjirokastritëve.

Drejtuesit e Luftëtarit duket se e kanë bërë lëvizjen e parë dhe kanë ndryshuar zyrtarët e klubit. Bëhet me dije se nga detyra e Drejtorit Sportiv është larguar Rigels Malile, ndërsa vendin e tij e ka marrë një emër i njohur në qytetin e gurtë, Gentjan Nora. Ky i fundit i njeh mirë situatat në klubin e Luftëtarit, pasi ka mbajtur pozicion e shefit të klubit më herët, por në sezonin e fundit u largua nga “skena” duke ditur problemet e shumta dhe qëndroi në “prapaskenë”.

Ai tashmë do të marrë sërish në dorë skuadrën dhe duket se ka rrezikuar shumë, pasi duhet të zgjidhë 1001 probleme që ka skuadra e Luftëtarit. Nora nuk mund t’i zgjidhë me shkopin magjik, por nëse presidenca hap thesin atëherë siutata mund të ndryshojë, në rast se pretendohet që gjithçka të zgjidhet me frymën e shenjtë, atëherë duhet të përshëndetemi me Luftëtarin dhe të shpresojmë të shihemi shpejt. Ku i dihet, mbase Nora është ngarkuar me detyrën e gjetjes së talenteve të rinj për të ndryshuar krejtësisht kurs, por sërish të gjitha pagat e papaguara janë borxhe të akumuluara që mund të krijojnë probleme te Luftëtari dhe mund të krijojnë situata si te Flamurtari dhe Tirana për shkak borxhesh.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit