Ndryshimet i zbulon Infantino, FIFA përgatit revolucionin në futboll

15 Shtator 2020
12:32
Alfred Lleshi
back button

Futbolli pësoi ndryshime të diktuara nga pandemia e Covid-19. Stadiumet mbetën bosh, ndërsa FIFA lejoi deri në 5 zëvendësime për ekip, brenda një ndeshjeje, fundin e sezonit të kaluar. Pastaj “Final Eight” i Ligës së Kampionëve në Lisbonë. Sipas Gianni Infantino, kreut të futbollit botëror, ky sport do t’iu nënshtrohet ndryshimeve të tjera, që do të duken si revolucion i vërtetë. Më konkretisht, synimi i FIFA-s është që brenda vitit 2022 të përfshihet faza e “play off”-it në shumicën e ligave europiane, për t’i bërë edhe më interesante ato.

“Ne duam që brenda dy viteve të ardhshme, shumica e ligave europiane të përfshijnë fazën e “play off”-it. Kështu do të ketë më pak ndeshje dhe më shumë interes. Ideja është që kampionatet të luhen me vetëm një fazë, pa sistemin vajtje-ardhje dhe më pas të kalohet direkt te “play off”-i me eliminim direkt, pak a shumë si në Ligën e Kampionëve këtë verë. Kështu do të rritej ndjeshëm interesi i tifozëve, sponsorëve, mediave, etj., duke gjeneruar më shumë të ardhura, – deklaroi Infantino.

– Në idenë tonë për revolucionarizimin e këtij sporti kemi programuar edhe ndryshime rrënjësore në kalendar, për t’u dhënë hapësirë të dedikuar të gjitha aktiviteteve. Kështu, gjatë një viti do të ketë 5 muaj afat për ndeshjet e kampionatit, 1 muaj për pushimet e futbollistëve, 1 muaj e gjysmë për “play-off”-in, 1 muaj e gjysmë për ligat europiane, 1 muaj e gjysmë për Europianët ose Botërorët dhe 1 muaj e gjysmë për Kombëtaret”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit