Ndryshimi mes Realit dhe Juves, “Topi i Artë”, momenti më i vështirë i jetës… Ronaldo i zbulon të gjitha

10 Dhjetor 2018
10:13
Alfred Lleshi
back button

Cristiano Ronaldo beson se Juventusi është grupi më i mirë i lojtarëve, me të cilët ka luajtur ndonjëherë. Ai thekson frymën e skuadrës dhe atmosferën familjare te bardhezinjtë. Futbollisti portugez dha intervistë për mediat italiane, ku shpjegoi motivet që qëndrojnë pas transferimit të tij në Itali dhe atë që ka mësuar gjatë kohës së qëndrimit e të luajturit në Torino, deri më tani.

Sot bëhen 5 muaj, që kur ju jeni bashkuar me Juventusin. Si ka qenë kjo periudhë?
Unë jam shumë i lumtur. Qyteti është me të vërtetë i këndshëm, tifozët janë shumë të mirë dhe Juventusi është një klub fantastik, tepër i organizuar. Lojtarët këtu janë të përulur dhe punojnë shumë. Gjithçka duket fantastike.

Ky është grupi më i mirë, me të cilin kam luajtur ndonjëherë. Te Juventusi me të vërtetë ndjehemi si një skuadër, ndryshe nga diku tjetër, ku disa lojtarë ndjehen sikur janë më mirë se të tjerët. Këtu të gjithë janë të përulur. Nëse Dybala, ose Mandzukic nuk shënojnë gol, ju i shihni ata të lumtur se fiton skuadra. Kjo është e bukur.

Cili është dallimi mes Real Madridit dhe Juventusit?
Dy klubet janë shumë të ndryshëm. Juventusi është më shumë si një familje.

Po nëse përballesh me Real Madridin në Ligën e Kampionëve…
E kaluara është e kaluar. Tani dua vetëm të fitoj me Juventusin, për të mbrojtur ato ngjyra. Pjesa tjetër nuk llogaritet. Nëse përballem me Real Madridin, do të jap maksimumin tim.

Marcelo, ose Asensio te Juventusi…
Unë shoh që ju shkruani për të gjithë, nga James te Bale dhe Asensio, por për të qenë i sinqertë, Juventusi nuk ka nevojë për ndonjë lojtar tjetër.

Po në të ardhmen?
Nuk e di, mund të flisni me presidentin.

Marcelo?
Ai është një lojtar i fortë.

Pse u bashkuat me Juventusin?
Mendova për shumë gjëra: atmosferën që kam përjetuar në stadiumin e Juves, stabilitetin e klubit, qasjen e presidentit, tifozët. Janë detaje të vogla, që bëjnë një ndryshim të madh. Kam pasur disa oferta, por tani jam 100% i sigurt se kam zgjedhur atë më të mirën.

Trajneri Allegri?
Një trajner shumë profesional, serioz dhe i shkëlqyeshëm. Një nga cilësitë e tij më të mira? Eshtë shumë i drejtpërdrejtë. Ai nuk të thotë diçka, që t'ju lërë duke pyetur se kujt i referohet. Allegri të drejtohet me emër. Ai është i ndershëm, inteligjent dhe argëtues për të gjithë.

Cilat janë mendimet për Ligën e Kampionëve me Juventusin?
E kam thënë edhe më parë, por do ta përsëris: Liga e Kampionëve nuk duhet të jetë një mani. Është një kompeticion, me të cilin duhet të përballesh me qetësi. Është një ëndërr, ne të gjithë duam ta fitojmë.

Po mendimet për derbin e Torinos?
E kam kuptuar menjëherë rëndësinë e tij. Një ditë, një nga tifozët më tha: Cristiano, ju lutem fitoni kundër Torinos, përndryshe gjyshja ime do të çmendet! Te Juve janë dy ndeshje, që nuk duhet t’i humbësh: kundër Interit dhe Torinos.

Kur e kuptuat se ishit Cristiano Ronaldo?
Unë përpiqem ta harroj këtë. Nëse vazhdoj të mendoj për atë që kam fituar, ose paratë që kam, përfshirë sukseset që kam arritur, do të frenohesha. Pra, ndonjëherë është më mirë të harrosh të jesh Cristiano Ronaldo.

A e di Cristiano Jr se babai i tij është një yll?
Po, ai luan edhe për Juventusin, e ndjen presionin dhe i pëlqen. Ndonjëherë, ai më pyet: A mund të sjell dy shokë italianë në shtëpi? Unë i them "po". Pastaj, ai thotë: Por ju duhet të jeni këtu, sepse shokët duan të bëjnë foto!

Si e ruan formën sportive?
Mundohem të ushqehem shëndetshëm. I shmang ëmbëlsirat dhe nuk pi alkool. Tri gjërat më të rëndësishme janë: të fle mirë, të ha mirë dhe të stërvitem mirë.

Momenti më i vështirë në jetën tuaj?
Kur vdiq babai im, në vitin 2005. Megjithatë, jam i sigurt se ai tani është i lumtur në qiell dhe më vëzhgon. Ishte një moment i vështirë, por kjo është jeta, nuk mund të bëni shumë për këtë. Kur isha i ri, i kam thënë babait tim se do të bëhemi të pasur dhe do të kemi një shtëpi të madhe. Ai pastaj më tha se kjo është e pamundur. Unë sot i kam të gjitha, por nuk kam babin tim.

A besoni në Zot?
Shkoj në kishë çdo javë, sepse jam katolik dhe vazhdoj të falënderoj Zotin për gjithçka që më ka dhënë. I lutem që të mbrojë familjen dhe miqtë e mi. Në Torino ka disa kisha, kështu që mund të zgjedh. Paparacët më panë një herë dhe krijuan ato thashethemet për martesën.

Çfarë mendoni për “Topin e Artë”?
Mendova se e meritoja, bëra gjithçka në fushë, numrat nuk gënjejnë. Por, nuk është fundi i botës, unë respektoj vendimin. Urime për Modric.

A jeni i zhgënjyer?
Po, por jeta vazhdon dhe unë do të punoj shumë për ta fituar atë vitin e ardhshëm.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit