“Në cilën tryezë hante Griezmann?”

13 Mars 2019
12:07
back button

Një ndër skuadrat më të mira në planet kur bëhet fjalë për t'u mbrojtur dhe me një shpirt luftarak të admirueshëm, Atletico e Madridit u shkërmoq të martën në mbrëmje në Torino dhe ishte sinjali më i qartë se Juventusi këtë sezon e ka seriozisht në Europë, duke përfituar nga një Ronaldo në formë spektakolare, a thua se vitet janë ndalur për të.

Një dështim i rëndë për Atleticon, jo vetëm se kishte fituar 2-0, bindshëm, në Madrid, por edhe sepse finalja e Champions League do të luhet pikërisht në shtëpinë e Colchoneros, Wanda Metropolitano.

Ishte një mbrëmje e vështirë, sidomos për trajnerin Diego Simeone, i cili rrallë e ka parë ndonjëherë ekipin e tij aq të dominuar nga kundërshtari. Megjithatë, një mbrëmje edhe më e hidhur ishte për Antoine Griezmann, një lojtar i shkëlqyer, por që në Torino praktikisht nuk u duk fare.

Natyrisht, edhe Atletico nuk është se mendoi shumë për sulmin, gjë që edhe vetë Griezmann e evidentoi pas ndeshjes: "Nuk u futëm fare në ndeshje, zgjodhëm ditën e gabuar për të mos qenë të pranishëm. Jemi të zhgënjyer, unë i pari. Ndihem fajtor sepse nuk bëra diferencën, ndryshe nga ndeshja e vajtjes. Nuk u përfshiva fare në ndeshje, nuk di ç'të them dhe as familja ime nuk do ç'të më thotë".

Ndërkaq, shtypi madrilen nuk harron dhe ka rikthyer në kujtesë një deklaratë të sulmuesit francez në shtator 2018, kur gara për Topin e Artë ishte në kulmin e vet. "E meritoj Topin e Artë, jam në një tryezë me Messi e Ronaldo", tha Griezmann, me një fodullëk që i është kthyer pas si bumerang.

"Griezmann nuk ishte fare në Torino, Ronaldo bëri çfarë deshi. Portugezi bëri gjithçka që nuk e bëri dot në Madrid, Griezmann e kundërta. Francezi e pa nga afër çfarë i mungon për t'u ulur në një tryezë me Cristiano dhe Messi. Kontributi i tij në ndeshje? Një gjuajtje jashtë kuadrati", shkruan AS.

Edhe Marca nuk e kursen yllin e Atleticos: "Në cilën tryezë hante Griezmann? Me fjalë hante në atë të Messit dhe Ronaldos, por në Torino e tregoi se nuk është për Top të Artë. Koha dhe cilësitë nuk i mungojnë, por kur skuadra është në vështirësi, duhet të tregosh sa vlen dhe Griezmann nuk u paraqit fare. Të paktën u tregua i sinqertë, e pranoi edhe vetë pas ndeshjes".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit