Në listë edhe Lautaro, zbulohet megaprojekti i Guardiolës në merkato

14 Korrik 2020
12:08
Alfred Lleshi
back button

Pezullimi i mundshëm prej dy vitesh, pa dëgjuar himnin e Ligës së Kampionëve në “Etihad”, e mbajti në ankth Manchester City. Sapo u fitua beteja legale në CAS dhe ky dënim ra poshtë, Guardiola mori zemër dhe planifikon të kthehet në tregun e transferimeve si aktor kryesor. “Daily Mail” thekson se “qytetarët” kanë në plan të përforcojnë sulmin dhe mbrojtjen.

Lautaro Martínez, David Alaba, Kalidou Koulibaly dhe Ferran Torres janë emrat, që kjo media britanike i sheh në listën e trajnerit spanjoll. Me largimin e mundshëm të Agüero drejt Argjentinës, pasi të përfundojë sezoni, Lautaro Martínez (22 vjeç) është objektivi kryesor për ta zëvendësuar atë. Emri i yllit të Interit është lakuar prej kohësh edhe te Barcelona, por vështirësitë e klubit katalanas për të paguar më shumë se 100 milionë euro i japin shpresë Manchester City.

Sa për prapavijën, Alaba (28 vjeç) dhe / ose Koulibaly (29 vjeç) do të përfaqësonin përforcime cilësore për qendrën e mbrojtjes së Pep. Laporte është mbrojtësi i vetëm qendror i trajnerit spanjoll dhe kjo ka bërë që ai të përdorë rregullisht Fernandinho si strumbullar mbrojtës, si partner të ish-lojtarit të Athletic Bilbao.

David Alaba dhe Koulibaly. Edhe austriaku, edhe senegalezi do të ishin përforcues idealë të mbrojtjes së “qytetarëve”, sepse janë lojtarë me përvojë dhe të sprovuar. Gjithsesi, ai që do të adaptohej më lehtë në skemën e Guardiolës do të ishte mbrojtësi i Bayern Munich. Veç kësaj, austriaku dhe Guardiola kanë qenë tashmë në një llogore (2013-2016), ndaj e njohin mirë njëri-tjetrin. Njëri ose tjetri pritet të zbarkojë në “Etihad” kësaj vere.

Ferran Torres (20 vjeç) do të ishte pjesa e fundit e enigmës. Lojtari i Valencias ende nuk ka rinovuar me skuadrën aktuale dhe Manchester City do të ishte një hap përpara në karrierën e tij. Për më tepër, largimet e David Silva dhe Leroy Sané, ky i fundit tashmë e ka konfirmuar destinacionin e ri, te Bayern Munich, krijojnë hapësirë në formacionin e “qytetarëve”. Ferrán Torres mund të përfitonte dhe përfundimisht ta “instalonte” veten në elitë.

Shumë emra qarkullojnë dhe padyshim jo të gjithë do të vijnë, por kur bëhet fjalë për shpenzimet që ka kryer gjithmonë Manchester City, asgjë nuk është e pamundur. Sidomos pas vendimit të fundit të CAS, që hodhi poshtë “fair play financiar” të UEFA-s, kur është fjala për petrodollarët e sheikëve nga Katari.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit