Në sulm për 17-vjeçarin, Liverpool zbulon “Van Dijk e ri” në Holandë

25 Qershor 2019
11:12
Alfred Lleshi
back button

Liverpool shpreson të përfundojë nënshkrimin me mbrojtësin “adoleshent”, Sepp van den Berg, nga PEC Zwolle, por do të përballet me konkurrencën e një morie klubesh të mëdha europiane, që interesohen për të riun holandez. “Reds” janë të etur për ta marrë qendërmbrojtësin 17-vjeçar në “Anfield”, këtë verë, por Bayern Munich, Ajax dhe PSV Eindhoven e kanë atë në listën e dëshirave, gjithashtu. 

Pas sezonit 2017-2018, kur debutoi në ekipin e parë dhe luajti 7 ndeshje në Eredvisie, Van den Berg pati një sukses të madh te Zwolle, sezonin e kaluar, duke luajtur tashmë 16 ndeshje në kampionatin holandez. Ai është rritur shumë profesionalisht nën urdhërat e Jaap Stam. Mbrojtësi është piketuar për të qenë pjesë e akademisë së Liverpool-it, fillimisht; të luajë për U-18 dhe U-23, me qëllim të përafrimit me ekipin e parë, nëse do të spikasë në atë nivel.

Ky objektiv i Liverpool vjen pas mbylljes me sukses të marrëveshjes me mbrojtësin tjetër të ri holandez, Ki-Jana Hoever, nga Ajax, verën e kaluar. Hoever shkëlqeu me të rinjtë e Liverpool dhe debutoi me ekipin e parë në “FA Cup”, ndaj Wolves, në janar. Drejtuesit e “Reds” shpresojnë se edhe Van den Berg mund t’i ndjekë ato hapa. Mbrojtësi, i cili mbush 18 vjeç në dhjetor, tashmë luan me Holanda U-19. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit