Nedved: Porto si Lyon, të bëjmë kujdes. Për Ronaldon do të jetë derbi…

14 Dhjetor 2020
14:40
Alfred Lleshi
back button

Juventus kundër Porto, kështu u vendos në Nyon. Ndeshja e parë e 1/8 finale të Ligës së Kampionëve do të luhet në shkurt, kthimi në mars. Pavel Nedved e komentoi kështu shortin e sotëm: “Në Ligën e Kampionëve janë të gjithë të fortë. Edicionin e kaluar e kemi pësuar nga Lyon. Këto skuadra janë mësuar të luajnë kësi ndeshjesh, e njëjta gjë vlen edhe për Porto. Do të jetë e rëndësishme të shkojmë në formën e duhur. Unë e njoh menaxherin e Portos, Conceiçao, kemi luajtur së bashku te Lazio. Ai është një trajner i shkëlqyeshëm, luan me një 3-5-2 të organizuar. Do të jenë dy sfida të vështira.

Duhet të përballemi siç bëmë kundër Barcelonës, duke luajtur futbollin tonë. Me këto bindje duhet të luajmë ndaj Portos. Ne mund të jemi favoritë, nuk është problem. Problemi është të mos e pësojmë si sezonin e kaluar, kur nuk ia dolëm. Është bukur të shkosh në këtë fazë të Ligës së Kampionëve, por ka mjaft vështirësi për t’u përballur. Të gjithë të vënë në vështirësi. Çdo skuadër mund të fitojë në Champions. A po kthehet Ronaldo në Portugali? Cristiano vjen nga Sporting, do të jetë një derbi për të”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit