Negociatat dhe prapaskenat e plota, ja si dështoi tri herë kalimi i Lewandowski te Reali

13 Shtator 2019
12:25
Alfred Lleshi
back button

Robert Lewandowski nuk do ta përmbushë ëndrrën e tij për të veshur fanellën e Real Madridit. Sulmuesi polak ka rinovuar me Bayernin deri në vitin 2023 dhe gjithçka tregon se kjo do të jetë kontrata e fundit (me një klub elitar) e tij. Sigurisht, ai ishte gati të zbriste në “Santiago Bernabéu” disa herë. Kjo konfirmohet edhe nga “Bild”, ku detajohet sesi Real Madridi, ashtu edhe Lewy, ishin të interesuar të arrinin një marrëveshje, por u përballën përsëri e përsëri me “jo” e vendosur të gjigantëve bavarezë.

Tentativa e parë ndodhi në vitin 2013. Lewandowski, i cili në atë kohë ishte akoma duke luajtur për Borussia Dortmund, shënoi të katër golat e fitores 4-1 kundër Real Madridit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions-it. Florentino Pérez u mahnit. Pas kthimit në Madrid, bosi i të bardhëve zhvilloi një bisedë telefonike me kapitenin e kombëtares polake dhe u përpoq ta bindtte që të shkonte në “Bernabéu”. Sidoqoftë, Lewy kishte tashmë një marrëveshje me Bayernin për sezonin e ardhshëm.

Dy vite më vonë pati shumë takime të tjera me Cezary Kucharski dhe Maik Barthel, ish-agjentë të futbollistit polak, dhe drejtorit të përgjithshëm të të bardhëve, José Ángel Sánchez. Vetë Kucharski kishte qenë edhe në “kullën” presidenciale të “Santiago Bernabéu”, por nënshkrimi dështoi përsëri, këtë herë nga rritja e konsiderueshme e kartonit të sulmuesit në kryeqytetin bavarez. Bayerni e ngriti rrogën e tij në gjithsej 16 milionë euro në vit. Po ashtu, iu imponoi agjentëve të tij përfshirjen e një klauzole specifike në kontratë, në rast se skuadra e bardhë troket në derë për polakun.

Hera e fundit, kur Florentino Pérez tentoi për lojtarin, ishte në vitin 2018. Vetë Lewandowski e ruajti ëndrrën për të luajtur në Spanjë dhe, për këtë, vendosi të ndahej nga agjentët e tij dhe t’ia dorëzonte të drejtat e përfaqësimit Pini Zahavi. Ky i fundit sapo kishte lëvizur fijet e transferimit të Neymar te PSG, për 222 milionë euro. Izraeliti bëri të pamundurën, por refuzimet e bavarezëve ishin kategorike. Bayern Munich nuk pranoi fare të negocionte për yllin e sulmit.

Uli Hoeness, presidenti i kampionëve gjermanë, pranoi se Zahavi dëshironte ta takonte atë në raste të shumta, por nuk pranoi ta priste në zyrën e tij, para se të mbyllej merkatoja. Zahavi ndoqi të tijën, por, i vetëdijshëm për vështirësinë e operacionit, u kthye për t’u përfshirë në bisedime me Bayernin dhe palët përfunduan me rinovimin e polakut, me rritje të konsiderueshme të pagës së tij. Lewandowski tashmë duket se ka ndryshuar mendje: “Unë nuk planifikoj të largohem nga klubi. Është një mundësi e madhe për të dalë në pension te Bayerni”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit