Nëna e Emiliano Sala kërkon drejtësi: Shumë gjëra janë të paqarta nga aksidenti

21 Mars 2019
13:22
Alfred Lleshi
back button

Ajo që e ngre zërin tani dhe kërkon drejtësi është nëna e Emiliano Sala. Dy muaj pas rrëzimit të aeroplanit, që i mori jetën sulmuesit argjentinas të Cardiff City dhe tronditi botën e futbollit, Mercedes Sala flet përmes “L’Equipe”: "Ndihem e trishtuar, me plot dhimbje, por edhe zemërim. 

Unë kisha biseduar me Emiliano para se të hipte në aeroplan dhe i thashë se do ta telefonoja pasi të mbërrinte në hotel, në Cardiff. Nja dy orë më vonë u përpoqa ta kontaktoja, por ai nuk m’u përgjigj. U përpoqa përsëri gjysmë ore më vonë, sërish asgjë. Pastaj telefonova agjentin, që më tha se aeroplani ishte zhdukur". 

Për nënën e ish-sulmuesit të Nantes, dikush nuk e bëri detyrën e tij: "Ata nuk u kujdesën për të, për mënyrën se si duhet të udhëtonte një futbollist prej 17 milionë eurosh". Ajo kërkon hetim të plotë, për të përcaktuar përgjegjësitë, sepse pyetjet mbi aksidentin, pilotin, aeroplanin nuk kanë përgjigje, situatat nuk janë të qarta: 

“Ne presim të kuptojmë se pse dhe si vdiq Emiliano, qoftë nga faji i ndonjë neglizhence të aeroportit, të pilotit, apo të ndërmjetësit". Dhe pastaj, nëna e argjentinasit ndalet tek aspekti financiar. Cardiff City ende nuk e ka paguar Nantes: "Ky është keqkuptim, kontrata ishte nënshkruar”.

Ndërkohë, familja e Sala përgatitet për udhëtimin drejt Francës dhe Anglisë, për t'u rikthyer në vendet e dramës së madhe: "Sot ne jemi në krizë zemërimi, por edhe pikëllimi, që do të zgjasë për gjithë jetën".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit