Nëntë vjet pritje, Veliu: Duam të përsëritim historinë në Korçë

27 Prill 2019
13:20
back button

Flamurtari viziton Skënderbeun këtë fundjavë (e diel, 19.00), dhe është një sfidë që nuk e humbet kurrë rëndësinë dhe bukurinë, duke kujtuar rivalitetin e egër mes dy ekipeve në dekadën e fundit.

Si asnjëherë këto vitet e fundit, Flamurtari e sheh veten mbi Skënderbeun në muajin prill dhe do të qëndrojë aty edhe në rast disfate, por mbrojtësi Franc Veliu shpreson që të përsëritet historia e fitores së fundit vlonjate për kampionat në Korçë. Ishte 11 prilli i vitit 2010 kur një gol i shënuar pikërisht nga Veliu u jepte fitoren 1-0 kuqezinjve, që më pas kanë fituar vetëm një herë për kupë në Korçë, kur trofeu shkoi për herë të fundit në Vlorë, para 5 vitesh.

Veliu, së bashku me mesfushorin Argjend Mustafa, u shfaqën sot para mediave, për të folur për ndeshjen e radhës, ku vlonjatët do të kërkojnë rezultat pozitiv, edhe për faktin se Skënderbeu nuk është më ai i viteve të fundit.

"Me sa mbaj mend për ndeshje kampionati kemi kohë pa fituar, 9 vite. Shpresoj shumë që historia të përsëritet dhe të marrim një rezultat pozitiv. Skënderbeu është ekip cilësor, përtej luhatjeve, ndaj është ndeshje shumë e vështirë. Nuk është se shohim nga rivalët, shohim ecurinë tonë dhe rëndësi ka që po ecim mirë.

"Për ne është një rival si gjithë të tjerët, besoj se do jetë një ndeshje e bukur. Frikë nuk e kemi pasur ndonjëherë Skënderbeun, pasi ndër vite kemi pasur bilanc pozitiv me ta. Nuk është Skënderbeu i viteve të fundit, por nuk e nënvlerësojmë në asnjë mënyrë. Shkojmë për gjithçka në Korçë, si në çdo ndeshje tjetër. Duam të luajmë mirë dhe të kënaqim tifozët, duke vijuar me ecurinë pozitive që kemi pasur deri tani", u shpreh Veliu, i cili prej tetorit të shkuar është kthyer në lojtar kyç në prapavijën e Flamurtarit.

MUSTAFA – "Është ndeshje e vështirë, të them të drejtën, duke pasur parasysh traditën dhe emrin që ka krijuar Skënderbeu. Megjithatë, ne jemi përgatitur mirë dhe besoj se do ia dalim me sukses.

"Europa? Kam besim se mund ta arrijmë, por duhet besim nga të gjithë dhe të vijojmë si kemi bërë në javët e fundit.

"Avantazh fakti që Skënderbeu luajti në kupë në mesjavë? Mund të ndikojë, por Skënderbeu ka lojtarë cilësorë dhe mund t'i përballojë të dy kompeticionet, ndaj nuk besoj se lodhja do jetë problem madhor", deklaroi mesfushori 26-vjeçar, i cili do të luajë nga minuta e parë në Korçë, për shkak se do të mungojë për dëmtim braziliani Elton Cale.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit