“Nëse Messi nuk meritoka “Topin e Artë”, unë nuk marr vesh nga futbolli”

22 Janar 2019
9:29
Alfred Lleshi
back button

Mbrojtësi i Atletico Madrid, Filipe Luis, ka “peshuar” debatin e “Topit të Artë” për vitin 2018, duke këmbëngulur se Lionel Messi duhet ta fitonte këtë çmimin përpara Luka Modric.

Fitimi i Ligës së Kampionëve dhe arritja në finale të Kupës së Botës e panë kapitenin e Kroacisë triumfues, me Cristiano Ronaldo dhe Antoine Griezmann në vendin e dytë e të tretë, respektivisht. Kylian Mbappe u rendit i katërti, ndërsa ylli argjentinas i Barcelonës, i pesti.

Megjithatë, Filipe Luis, pavarësisht se luan për një rival të drejtpërdrejtë të Barcelonës në La Liga, beson se falë asaj që ka dhënë Messi në vitin 2018, si në pjesën më të madhe të karrierës së tij, duhet ta kishte vendin i pari në podium.

"Kur hyj në fushë, misioni im është të mos i lejoj kundërshtarët të bëjnë asgjë, qoftë Messi, apo ndonjë lojtar tjetër, – tha braziliani në një intervistë me “Globoesporte”. 

– Sidoqoftë, pas kaq vitesh, shoh një lojtar që e ridimensionon veten, vitet kalojnë dhe ai bëhet më i mirë. Ky është Leo Messi. Papritmas, dëgjoj se ai nuk e meritoka ta fitojë “Topin e Artë”, sepse paska pasur një sezon të keq më 2018!!! Ai fitoi La Liga-n, “Copa del Rey”, ishte golashënuesi më i mirë në Europë dhe dha shumë asiste.

Kushdo që mendon se Messi nuk e meriton “Topin e Artë”, nuk e sheh atë që unë shoh. Ose, unë nuk marr vesh nga futbolli.

Messi është lojtari më i mirë. Shënon gola dhe, kur nuk e bën këtë, siguron asiste për bashkëlojtarët. Leo e ka bërë këtë më së miri në 10 vitet e fundit. Rivaliteti im me të në fushë është i pafund, por jashtë fushës, edhe admirimi im për të është, gjithashtu, i pafund.

Ai është argjentinas dhe luan në një klub rival, prandaj e di që nuk do të fitoj asnjë admirues duke folur mirë për të. Megjithatë, nuk mund të mos jem i sinqertë, duke thënë një të vërtetë, që e pranon krejt bota".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit