Nesër rinis Champions-i i vërtetë, por për herë të parë pa CR7 dhe Messin

18 Shtator 2023
12:16
Alfred Lleshi
back button

Është një Ligë e Kampionëve me pesë yje, që do të kthehet në rrugën e duhur nga nesër, katër muaj pas finales së Stambollit, të fituar nga Manchester City ndaj Interit. Pavarësisht nënshkrimeve të verës, situata, për mirë apo për keq, ka mbetur e njëjtë: “qytetarët” dhe zikaltrit janë skuadrat më të shkëlqyera në fillim të sezonit të ri, të kërcënuara nga Barcelona dhe Real Madridi, apo Bayern Munich që mbushi boshllëkun e Lewandowskit me sigurinë e Kane. PSG, Atletico Madrid dhe Manchester United shfaqen në kushte të errëta. Më pas është Milani, i tronditur nga rezultati i derbit (5-1). Kuqezinjtë kërkojnë të bëjnë autokritikë ndaj Newcastle të Tonalit.

Eksodet e sezoneve të fundit e kanë privuar Champions League nga protagonistë të jashtëzakonshëm. Për herë të parë do të mungojnë Cristiano Ronaldo dhe Messi, si dhe Benzema, Neymar, Verratti, Ziech, Kante, Koulibaly e shumë të tjerë. Por sharmi mbetet i pandryshuar. Tani numri një (së bashku me Mbappé) është Haaland, forca lëvizëse e Manchester City, ekipit perfekt të Guardiolës, i cili e fillon turneun nesër me një ndeshje të lehtë kundër Crvena Zvezda. Në ndeshjen tjetër të grupit G, Leipzigu duhet ta ketë të lehtë ndaj Young Boys.

Sfidat e grupit të hekurt, grupit F, janë shumë interesante. Beteja kryesore është në “Parc des Princes”. PSG pa Neymar, Messi dhe Verratti grumbullohet rreth Mbappe, por vjen nga disfata në shtëpi ndaj Nice. Nuk do të jetë e lehtë të kapërcehet Borussia Dortmundi, ekipi veteran i kompeticionit. Sytë janë edhe nga “San Siro”. Milani e nisi mirë fillimin e Serie A, por u rrëzua kundër Interit dhe tani po përpiqet të hakmerret, duke u përballur me ekipin anglez, që ka pasur vështirësi deri tani (6 pikë në 5 ndeshje).

Nesër starton edhe Barça, e përforcuar nga Cancelo dhe Joao Felix, e cila vjen nga goleada në La Liga. Skuadra blaugrana pret Antwerp e drejtuar nga Van Bommel, ndërsa Porto është favorite me Shakhtarin. Diego Simeone kthehet në “Olimpico” si ish. Pritet spektakël nga Lazio dhe Atletico Madrid, dy skuadra të shkëlqyera, që megjithatë e kanë nisur keq sezonin e ri dhe vijnë nga humbje të qarta ndaj Juves e Valencias. Feyenoord dëshiron të mposhtë Celtic, për ta pozicionuar veten si forca e dytë në Grupin E.

Të mërkurën, kulmi do të jetë në Mynih. Bayern Munich i përforcuar nga Kane pret Manchester Unitedin e goditur (6 pikë në 5 ndeshje), duke qenë jo pak nostalgjik për finalen e vitit 1999. Galatasaray i Icardit favorizohet ndaj Kopenhagen. Në grupin C, Bellingham dhe Vinicius Jr bëjnë debutimin e tyre për Real Madridin ndaj Union Berlin, me gjermanët shumë larg performancës së sezonit të kaluar. Test i rëndësishëm për Napolin luhatës të Garcias, i cili nuk mund të përballojë asnjë rrëshqitje në shtëpinë e një ekipi të komplikuar si Braga.

Morali është i lartë për Interin, i pamposhtur dhe në formë fantastike, i cili kërkon tri pikët ndaj Real Sociedad. Në ndeshjen tjetër të Grupit D, Benfica e Di Marias është favorite ndaj Salzburgut. Grupi B nis me përballjet mes Arsenalit dhe Sevilla, si kryendeshje, por interes përbën edhe ballafaqimi PSV-Lens.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit