Më datat 13-14 maj, në sallën sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, do të zhvillohet edicioni i tretë i turneut ndërkombëtar të Mundjes “Muhamet Malo”. Një turne që mban emrin e një prej personaliteteve të këtij sporti, ish-president i Federatës së Mundjes, që ka kontribuar jashtëzakonisht shumë për këtë sport dhe jo vetëm.
Klajdi Malo, djali i Muhamet Malos, në një deklaratë për mediat shprehet për emocionet që përjeton për këtë aktivitet që zhvillohet për babain e tij. “Ky turne është një krenari e madhe për mua dhe familjen time, pasi shoh një pjesëmarrje të madhe, që rritet nga edicioni në edicion. Vitin e parë kishim pak sportistë, por më pas numri i pjesëmarrësve u rrit ndjeshëm e këtë vit do të kemi rreth 170 mundës nga 12 shtete të ndryshme të botës”, tha Klajdi Malo.
Për “Rtsh Sport”, më tej Klajdi Malo sqaroi: “Ne synojmë që ta bëjmë edhe më popullor këtë turne, duke u dhënë mundësi sportistëve shqiptarë të konkurrojnë në nivel të larta. Ata do të kenë shansin që të fitojnë medalje përballë sportistëve elitarë, duke u ndeshur në një turne i cili do të mbahet në Shqipëri. Sportistët tanë e kanë të vështirë që të marrin pjesë në vendet e huaja për shkak të shpenzimeve të ndryshme dhe ne, me këtë projekt, u japim shansin që të kokurrojnë në nivele të larta në vendin e tyre”.
Vjet, mundësit shqiptare siguruan 13 medalje si dhe u shpallën kampionë në stilin e lirë. “Dua të falenderoj Bashkinë e Tiranës dhe Erjon Veliajn për mbështetjen që i kanë dhënë këtij turneu. Gjithashtu, përshëndes edhe Federatën Shqiptare të Mundjes dhe numrin një të saj, Said Prizrenin, i cili mundësoi këtë event së bashku me Shoqatën e Mundjes”, u shpreh Klajdi Malo.