Neuer mund të largohet nga Bayerni, shfaqet klubi i fiksuar me Champions-in

15 Janar 2020
12:42
Alfred Lleshi
back button

Ardhja e Alexander Nübel te Bayern Munich tani për tani duket se ka shkaktuar më shumë hutim sesa kënaqësi. Së fundi, edhe te Manuel Neuer, siç zbulohet nga “Sport Bild”. Portieri dhe kapiteni i bavarezëve po fliste me drejtuesit e klubit për një rinovim deri në vitin 2023, por ardhja e Nübel, sipas “France Football”, mund t’i ketë ndryshuar gjërat. Gatishmëria e klubit për t’i garantuar hapësirë të porsaardhurit, menjëherë, për të paktën 15 ndeshje në sezon (flitet se kjo është specifikuar si klauzolë në kontratën e tij) duket se e ka irrituar Neuer.

Kështu, numri 1 i kombëtares gjermane mund të shikojë përreth dhe midis opsioneve të ndryshme, nëse ai vendos të largohet nga kampionët gjermanë, mund të ishte Juventusi. Neuer nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të luajtur në një klub të shkëlqyeshëm të huaj dhe bardhezinjtë, me ambicie të mëdha në Ligën e Kampionëve, mund të ishin të duhurit për të. Zgjedhja e Neuer mund të varet kryesisht nga dy faktorë; cili do të jetë trajneri i radhës i Bayern Munich, nëse Flick nuk konfirmohet, dhe rruga që skuadra bavarezë do të marrë në Ligën e Kampionëve. Në qershor, Nübel do të arrijë në Bavari dhe Neuer nuk duket të jetë aq i sigurt për të qëndruar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit