Nexhipi: Short i vështirë ndaj Teutës, Kupa na shpëton sezonin

24 Shkurt 2021
12:23
Alfred Lleshi
back button

Short mjaft i vështirë për Kukësin, që i ka varur shpresat e fitimit të një trofeu te Kupa e Shqipërisë. I zhbilancuar skajshëm në kampionat, Mirel Josa dhe të tijtë duhet të kalojnë Teutën në çerekfinale, që të shpresojnë më pas. Duke folur për mediat, drejtori i verilindorëve, Nderim Nexhipi, e komentoi kështu përballjen me durrsakët: “Është short interesant, Teuta ka ekip shumë cilësor. Pra, do të jetë përballje mjaft e vështirë. Është vetëm një ndeshje direkte dhe ai që do japë maksimumin atë ditë, kalon edhe turin.

E dimë se jemi larg kreut të tabelës në kampionat, do të synojmë që në ndeshjet e mbetura të bëjmë sa më mirë. Ka ende shumë ndeshje, ndaj do të luftojmë të bëjmë sa më mirë dhe të afrohemi sa më shumë me kreun.  Kupa, rruga e vetme për Europën? Jemi larg në kampionat, por ka edhe shumë ndeshje nga fundi. Na presin sfida direkte me rivalët dhe mund të bëjmë mirë, nëse japim maksimumin.

Skuadra ka pasur shumë oshilacione dhe kjo na ka sjellë në situatën ku ndodhemi. Kemi një grup me lojtarë shumë cilësorë, shpresojmë se do të dalim nga kjo situatë. Kupa, shpëtim i sezonit? Të mos e themi kështu, pasi jemi klub që futemi çdo vit për trofe. E përsëris, jemi larg vendit të pare në kampionat, por do të bëjmë maksimumin ta mbyllim me trofe këtë sezon. Para shortit nuk kishim preferenca, por do të ishte më mirë që në këtë fazë të përballeshim me një ekip më të dobët, edhe pse janë tek ndeshje dhe mund të ndodhin befasi ndaj kujtdo”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit