Neymar “dorëzohet”: Nuk jam superhero, as model i përsosur

15 Korrik 2019
9:05
Alfred Lleshi
back button

Ylli i PSG, Neymar, pranoi se nuk është një "model i përsosur" dhe as një "superhero". Braziliani ka kaluar pothuajse dy vite me parizienët, por pakënaqësitë, marrëdhëniet jo të mira me shokët e ekipit dhe mungesa e angazhimit e kanë shoqëruar në këtë periudhë. Kohët e fundit, 27-vjeçari nuk erdhi në kohë në trajnimin parasezonal, mes spekulimeve se dëshiron të kthehet te Barcelona. Drejtori sportiv i PSG, Leonardo, konfirmoi se sulmuesi mund të shitet, nëse një ofertë e duhur mbërrin për të. 

Neymar rrezikoi më tej zemërimin e tifozëve të PSG, të shtunën, kur theksoi përmbysjen e mrekullueshme të Barçës (6-1), në sezonin 2016-2017 (Champions League) kundër klubit të tij të tanishëm, si një nga dy kujtimet e tij më të mira në futboll. Të dielën, braziliani foli përsëri nga turneu i futbollit “Red Bull Neymar Jr”, të mbajtur në Sao Paulo. Ish-lojtari i Barcelonës tha: "Unë nuk jam superhero, as model i përsosur. Kam edhe unë momente të këqija, kur dua të shkoj në shtëpi dhe të fshihem, të qëndroj me miqtë dhe familjen. 

Unë nuk jam superhero, që merrem me të gjitha kritikat në botë, por bëj një përpjekje. E di atë që kam bërë, jo vetëm për familjen dhe djalin tim, por për shumicën e fëmijëve që janë këtu. Unë e di që kam një përgjegjësi të madhe dhe dua të veproj në mënyrën më të mirë të mundshme. Duke qenë gjithmonë i sinqertë, kjo është gjëja më e rëndësishme".

Neymar humbi “Copa America” të këtij viti, që u zhvillua dhe u fitua ngta Brazili, për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës. "Duke qenë jashtë “Copa America”, ishte një përjetim mjaft i keq, – shtoi ai. – Nuk më pëlqen të qëndroj as jashtë trajnimit, kështu që mund ta imagjinoni se si jam ndier që e humba “Copa America”. Ky kompeticion ishte aq i rëndësishëm, ishte fokusi im për këtë vit, por më gëzuan shumë kolegët e mi, që triumfuan. Kam qenë me të vërtetë i lumtur t’i shoh ata duke fituar, madje më shumë se po të luaja vetë. Lumturia e tyre është e imja". 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit