Nga çadrat e emigrantëve në Ganë te shkëlqimi me Bayern, Davies nuk ndal “vrapin”

31 Maj 2020
15:05
Telesport
back button

Historitë njerëzore janë të ndryshme, ashtu si rrugëtimi më pas, suksesi, dështimi, zhgënjimi, por edhe surpriza e bukur…

Çdokush ka një ulje dhe ngjitje, mjafton të shfrytëzosh momentin, sidomos nëse ke edhe një talent brenda teje, ashtu si Alphonso Davies, djaloshi magjik i Bayern Munich.

Nga një çadrat e emigrantëve nën reflektorët e Bundesligas dhe futbollit botëror: trampoline e Davies ishte po aq e shpejtë sa edhe ndikimi i tij në fushë si një “spriniter”.

Mbrojtës i majtë krahu, ka bërë të gjithë për vete, aq sa Bayern Munich fërkon duart dhe e ka blinduar. Ka ende gjëra për të rregulluar (“Nuk mund të ndreq çdo gabim pozicionimi në fushë me aftësinë time për të vrapuar”) por për një futbollist të datëlindjes 2000 lejohet gjithçka…

Për të mbërritur në këtë skenë, siç e thamë, e ka nisur nga shumë larg. Prindërit e tij u arratisën nga lufta civile në Liberi, duke gjetur strehim në Buduburam, Ganë.

“Ishte e vështirë të jetoje sepse e vetmja mënyrë ishte të mbijetoje dhe të lëvizje me pistoletë në brez… Nuk kisha asnjë interes ta përdorja armën dhe ndaj vendosëm t’ia mbathim duke aplikuar në një program që na çoi në Kanada”.

Alphonso ishte vetëm 5 vjeç kur familja e tij u transferua në Edmonton, Alberta. Ndërsa prindërit e tij punonin për t’u ushqyer dhe mbajtur fëmijët, Davies frekuentoi St. Nicholas Catholic School, duke mbajtur edhe dy vëllezërit më të vegjël.

“Një talent i lindur”, do ta cilësonin disa nga mësuesit e tij, teksa në turnetë pas shkolle befasonte të gjithë, aq sa në moshën 14 vjeç kaloi nga Edmonton në Vankuver: Ëhitecaps! Alphonso bëhet futbollisti më i ri që debuton në USL (kategoria e dytë amerikane) dhe i pari i datëlindjes 2000 që luan në MLS: 15 vjeç, 8 muaj dhe 15 ditë.

“Nga moshat U-16 te U-18, skuadra e dytë dhe e parë. E rrallë të ndodhë sërish kjo”, do të kujtonte presidenti i tij i parë, Bob Lenarduzzi.

Vetëm 16 vjeç debuton me kombëtaren e madhe të Kanadasë, më 14 qershor 2017 në ndeshjen ndaj Kuraçao. Vetëm një javë më parë kishte marrë nënshtetësinë kanadeze. Në ndeshjen e dytë, dy gola, duke e bërë lojtarin më të ri që ka shënuar në Gold Cup dhe i pari i lindur në shekullin e 21-të që realizon në një turne të madh ndërkombëtar.

Në verën e vitit 2018, Bayern habit të gjithë dhe i paguan Vancover Whitecaps 10 mln euro. Shumë për një djalosh 17 vjeç, i rritur në Kanada dhe jo Brazil!

Në 2019 niset drejt Gjermanisë dhe Mynihut dhe pasi shprehet i lumtur se ka realizuar një ëndërr, debuton më 27 janar 2019, nën sytë e Niko Kovac: katër minuta në fund në vend të Coman. Duhet të ishte alternativa e francezit. Luan disa ndeshje me ekipin e dytë dhe stërvitet me të parin, ku vjen edhe goli ndaj Mainz, në fitoren 6-0.

Trajneri Kovac ka idenë gjeniale se Davies mund të luajë mbrojtës i majtë krahu dhe nuk mund të jetë një rezervë pasi e ndjek në ekipin B, kategoria e tretë.

Duke përfituar edhe nga gjendja konvaleshente e Lucas Hernandez (I paguar 80 mln euro) nis të luajë titullar në të majtë, aq sa Alaba zhvendoset në qendër të mbrojtjes. Davies luan ndeshjen e parë titullar më 26 tetor, në shtëpi ndaj Union Berlin.

“Sa dreqin vrapon ky njeri”, do të shkruajë Romelu Lukaku, ndërsa në ekip nisin ta thërrasin “Beep Beep”, si Muller. Në klasiken ndaj Dortmund, përpos pak gabimesh, mrekullon të gjithë: Davies nuk di të ndalet, një motor i vërtetë, ashtu si jeta e tij, nga Afrika në Kanada dhe Gjermani… Stacioni i radhës? Mbase këtë herë do të pushojë pak…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit