Nga debutimi ndaj Polonisë te dy kualifikueset e radhës, Sylvinho rrëfen 4 muajt e parë si trajner i Shqipërisë

23 Maj 2023
12:43
Alfred Lleshi
back button

Faqja zyrtare e FSHF-së në internet i ka kushtuar sot një shkrim-rrëfim trajnerit tonë kuqezi, Sylvinho, i cili ka katër muaj në krye të kombëtares shqiptare, e nisi me humbje në transfertën polake dhe tashmë pret dy kualifikueset e radhës në grup për “Euro 2024”, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe:

“Aventura e tij me Shqipërinë nisi në janar të këtij viti, kur u prezantua si trajneri i ri i kombëtares shqiptare në prag të nisjes së fushatës kualifikuese për Euro-Gjermani 2024. Që prej asaj dite, Sylvinho Mendes Campos Junior, së bashku me ndihmësit e tij Pablo Zabaleta, Dorival Guidoni Junior dhe stafin teknik nisën nga puna për të përgatitur skuadrën kuqezi për këtë rrugëtim të ri.

Ish-futbollisti i njohur brazilian, me një eksperiencë të pasur edhe si trajner, vendosi që në fillim të qëndronte në Shqipëri së bashku me stafin, duke punuar çdo ditë në zyrat e FSHF-së për të përgatitur debutimin dhe sfidat kualifikuese të Europianit. Pas katër muajsh në vendin tonë, Sylvinho jep impresionet e tij për Shqipërinë, por edhe për debutimin ndaj Polonisë. Ai vlerëson përkushtimin e treguar nga kuqezinjtë.

“Ndihem shumë mirë në Tiranë, një qytet shumë i bukur, eksperiencë e madhe në jetën time. Ushqimi është shumë i mirë, njerëzit janë gjithashtu shumë të sjellshëm. Sa i përket punës, jemi gjithë ditën në zyrat e FSHF. E nisim ditën e punës në ora 09:00 dhe punojmë deri në ora 16:00 apo edhe deri në ora 18:00 të pasdites. Kemi pasur rastin të punojmë me djemtë e kombëtares në fushë herën e parë për ndeshjen me Poloninë, janë seriozë në punë dhe profesionistë të nivelit të lartë. Jam i kënaqur prej tyre dhe nga e gjithë puna që kemi bërë këtu”, – thotë trajneri i kombëtares në një intervistë për Fshf.org.

Më tej, tekniku shpjegon edhe punën që po bën aktualisht dhe takimet që ka pasur me lojtarë gjatë kësaj periudhe, gjë që e cilëson si shumë të rëndësishme për të krijuar marrëdhënie sa më të mira me grupin. “Herë pas here shkojmë në Itali, Zvicër, Portugali, Spanjë apo Angli për të takuar dhe folur me lojtarët, për t’i dëgjuar ato. Besoj shumë te kjo punë, që të shkosh te lojtari aty ku është, të flasësh me të sy më sy dhe të dish se si është për të krijuar marrëdhënie të mira me ta. Kjo është ajo që ne po bëjmë.

Kur shkojmë diku dhe flasim me lojtarët, i pyesim se si shkojnë gjërat, herë pas here takojmë edhe lojtarë të cilët janë të dëmtuar. Më vjen shumë keq kur një lojtar nuk mund të zbresë në fushë dhe të stërvitet, por edhe një përqafim dhe një takim për të folur me ta është moment i rëndësishëm. Pas përfundimit të kampionateve duhet menaxhuar rikthimi i lojtarëve të ftuar në grumbullim për ndeshjet e kombëtares, edhe kjo është shumë e rëndësishme”, – shton Sylvinho.

Sakaq, përpara janë dy sfidat e radhës kualifikuese të Europianit, ato ndaj Moldavisë në shtëpi dhe Ishujve Faroe në transfertë. Për Sylvinho duhet menaxhuar mirë rikthimi i lojtarëve pas dëmtimeve, ndërsa është i bindur se me mbështetjen e tifozëve, kombëtarja do të japë maksimumin dhe do të bëjë paraqitje shumë të mirë.

“Kemi takuar shumë lojtarë për ta menaxhuar sa më mirë rikthimin e tyre me kombëtaren dhe për t’u përgatitur sa më mirë për këtë grumbullim, pasi kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme. Për të menaxhuar rikthimin e lojtarëve me kombëtaren është një moment paksa i vështirë, sepse kampionatet përfundojnë në data të ndryshme. Duhet që vetë lojtarët ta kuptojnë rëndësinë e këtij momenti.

Ne e dimë që janë dy ndeshje të vështira, nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. Duhet të luftojmë fort për objektivin tonë. Në ndeshjen me Moldavinë, me shumë mundësi do ta kemi stadiumin plot me tifozët tanë. Në një stadium të ri dhe të bukur, tifozët do të na mbështesin, të na motivojnë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme.

Ne zbresim në fushë për të dhënë 100%, me shumë dëshirë. Tifozët presin nga ne që të luajmë në fushë me zemrën dhe shpirtin e duhur. Nevojitet organizim i mirë, ritëm. Ne i kemi këto elementë, lojtarët janë të bindur për objektivin dhe shkojmë për të bërë një ndeshje të mirë, jam i bindur. Forca Shqipëri!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit