Nga fëmijëria në basketboll deri te Juve, rrëfimi i Vlahovic: Këtij trajneri i detyrohem më shumë se babait tim

20 Maj 2022
9:58
Alfred Lleshi

Dusan Vlahovic, protagonist në Panairin e Librit të Torinos. Sulmuesi i Juventusit ka folur me rastin e prezantimit të vëllimit që tregon historinë dhe anekdotat e futbollistit serb, të shkruar nga drejtori i “Tuttosport”, Guido Vaciago.

Vlahovic ka “skanuar” 22 vitet e tij, duke filluar nga momenti kur goditi topin për herë të parë në shtëpinë e tij në Serbi. Ai ka treguar se kishte luajtur basketboll para se të fillonte një karrierë futbolli:

“Mendoj se në Serbi, qysh të vegjël na e vendosin topin menjëherë në dorë. Që i vogël kam pasur dëshirë të jem gjithmonë në lëvizje. Fillimisht e kam filluar me basketbollin, që ishte pasioni im i parë, qysh në shkollë fillore. Atje ishte një shkollë basketbolli. Kam ushtruar 2-3 vite basketbollin, më pas duke luajtur futboll me miqtë e mi vendosa të merresha me këtë sport. Mamaja më çoi në stërvitjen time të parë”.

Qëllimi i tij është të vazhdojë të rritet për të fituar me fanellën e Juventusit: “Më pëlqen ADN-ja e Juves, kjo dëshirë për të luftuar, për të mos u dorëzuar, për të kaluar limitet, deri në fund. Edhe unë jam pak i tillë. Më pëlqen të punoj, sepse kur të ndaloj së luajturi, edhe nëse është herët, nuk dua të kem asnjë pishman.

Dua të jap gjithçka. Jam i privilegjuar dhe nuk e kuptoj pse duhet të jetë ndryshe. Mund të përmirësohesh gjithmone edhe kur të kesh arritur diçka të jashtëzakonshme. Duhet të jesh i vetëdijshëm dhe i kënaqur, pa e ekzagjeruar”.

Sulmuesi serb mendon se ka ende një rrugë të gjatë dhe shumë punë për të bërë: “Të flas për veten si kampion nuk më pëlqen, kam shumë rrugë për të bërë, duhet të punoj akoma. Do të jap gjithçka dhe shpresoj të bëhem kampion”.

Ndër figurat më të rëndësishme të karrierës dhe jetës së tij është Cesare Prandelli, trajneri te Fiorentina: “Gjithmonë më emocionon, babai im nuk do të kishte bërë atë që bëri ai për mua. Babai më tha: Shiko, po të isha në vendin e tij, as unë nuk do ta kisha bërë këtë. E falenderoj shumë, dëgjohemi shpesh me njëri-tjetrin. Ishte ai që më shtyu përpara, më mbështeti. Do ta falenderoj gjithë jetën për çdo gjë, i jam shumë mirënjohës”.

Vlahovic rikthehet dhe kujton debutimin e tij me gol në Champions League, kundër Villarrealit, me fanellën e Juventusit: “Kur thuhet se ëndërron himnin e Champions-it në fillim të lojës… Unë nuk e kam pasur atë përvojë, nuk e kam shijuar ende sa duhet, pasi kam luajtur vetëm dy ndeshje, por gjatë gjithë javës merr frymë ndryshe.

Isha krenar për veten time, është një gjë e veçantë. Me vete mendoja: Ja ku je! Më pas goli i shënuar, emocionet që ndjeva… Do doja t’i ndjeja këto emocione shume herë dhe për shumë kohë. Ndeshja e parë e Champions League që kam parë në TV ishte Milan-Liverpool në Stamboll”.

Serbi rikonfirmon objektivat dhe tregon se nuk e ndjen presionin: “Ne e dimë që Juve gjithmonë do të fitojë, është e vetmja gjë që ka rëndësi. Duhet të kthehemi në këtë rrugë. Ka pak për të folur, duhet të fitojmë. Vetëm kaq. Për mendimin tim, presionet janë të ndryshme. Ne luajmë futboll, argëtohemi, përpiqemi të bëjmë sa më shumë njerëz të lumtur. Fillova të luaja për pasion, për të bërë krenarë të gjithë njerëzit që më shikonin.

Jam shumë i lumtur dhe jeta ime po shkon mirë. Unë dhe prindërit e mi jemi mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Dashuria e publikut është ajo që më jep shtytje shtesë. Edhe nëse ndonjëherë je i lodhur, ata të shtyjnë të bësh gjëra që as nuk mund t’i imagjinoni. Jam i lumtur që jam te Juve, e kam dashur shumë. Shpresoj të fitoj shumë trofe”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit