Nga Flamurtari në Rumani, firmos mbrojtësi i pafat

8 Janar 2019
11:47
back button

Në pritje të zhvillimeve të reja për sa i përket situatës financiare dhe pagave të prapambetura, Flamurtari vijon të "krasitë" skuadrën nga lojtarë që kanë luajtur pak në pjesën e parë të sezonit.

Ndonëse dihej prej ditësh, tashmë është zyrtar edhe "divorci" me mbrojtësin rumun Christian Sirghi.

Mbrojtësi 32-vjeçar nga Galati firmosi në verë dhe ishte një goditje e rëndësishme, sepse ka shumë eksperiencë dhe sezonin e shkuar ishte paraqitur shumë mirë te Gaz Metan, duke luajtur rregullisht.

Megjithatë, në Vlorë gjithçka shkoi ters, që nga ambientimi në ekipin e ri e deri te një dëmtim i rëndë pësuar në hundë në fund të shtatorit, në ndeshjen kundër Kastriotit në Vlorë.

Më pas Sirghi mungoi për disa javë dhe trajneri Ilir Daja e zbriti në hierarki, duke preferuar Allën, Veliun e Pollozhanin në qendër të mbrojtjes.

Në fund të dhjetorit Flamurtari arriti marrëveshjen për prishjen e kontratës, duke parë që asnjëra palë nuk kishte leverdi për vijimin e bashkëpunimit.

Nuk ka mbetur gjatë pa ekip Sirghi, sepse sapo ka firmosur në Rumani, me Dunarea Calarasi, klub i Ligës 1 rumune, që po bën lëvizje të mëdha në merkato, për shkak se nuk fitoi asnjë nga 13 ndeshjet e fundit të vitit 2018 në kampionat dhe rrezikon seriiozisht zbritjen nga kategoria.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit