Nga gradimi i Gjimshitit kapiten kuqezi, çështja “Broja” deri te rinovimi i kontratës, Sylvinho “hap zemrën”…

27 Nëntor 2023
9:32
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i kombëtares, Sylvinho, është “ylli” i ekraneve shqiptare këto ditë. Ai ka dhënë intervista pothuajse për të gjitha trelevizionet në vend, kryesisht për rubrikat sportive. Një gjë të tillë e ka bërë së fundi edhe për emisionin “Studio Sport” në “Vizion Plus”, ku është ndalur te çështja “Broja”, pse zgjodhi Gjimshitin kapiten të kuqezinjve dhe aspekte të tjera rreth kualifikueseve të “Euro 2024”.
Për Brojën, braziliani nënvizoi: “Duhet të rrini shumë të qetë, kam parë dhe instagramin e tij e ishte shumë e bukur ajo që kishte shkruar. Historia e Brojës është që ai duhej të rikuperohej plotësisht dhe ia kam thënë këtë. Ta shpjegoj, ai luajti me Chelsea 12 minuta gjatë ndeshjes, më pas 10 minuta, bëri 60 minuta në ndeshjen tjetër e më pas 45 minuta.

Përpara se të vinte te ne bëri një kontroll. Duhej të vinte të dielën te ne, nuk erdhi, bëri një kontroll mjekësor te Chelsea, pasi nuk ishte mirë. Mbërriti te ne të hënën, bëri rikuperimin dhe të martën në mëngjes nuk ishte mirë. Bëri një kontroll mjekësor edhe te ne, mjekët thanë se nuk ishte në gjendje të luante.

I thashë më vjen keq për ty, por duhet të rikuperohesh. Në fakt ai vjen nga një dëmtim shumë i vështirë, gati 10 muaj, që për një lojtar të fortë, të fuqishëm si ai nevojitet të rikuperohet 100%. Unë jam absolutisht i bindur se do t’ia dalë”.

Sylvinhos i shtohet “oreksi”, pas finaleve të “Euro 2024” përmend si objektyiv kualifikimin edhe në Botërorin 2026, çka do të ishte diçka historike për kuqezinjtë: “Si objektiv, sigurisht është të ecim përpara në grup, gjë që nuk do të jetë e lehtë.

Mendoj që si shtet, si federatë, si futboll, është të shkojmë përpara, që do të jetë shumë bukur. Ne duhet të mësohemi të luajmë në Europian, pasi kjo është hera e dytë. Shqipëria duhet të mësohet që të shkojë në Botëror, ku nuk ka marrë pjesë asnjëherë. Duhet të punojmë vazhdimisht për objektivin e rradhës, për të ecur gjithnjë përpara”.

Braziliani nuk ka asnjë merak për kontratën, rinovimin e saj, sepse rezultatet pozitive janë ato që e mbajnë në punë çdo trajner futbolli: “Në të vërtetë nuk më shqetëson fare kontrata, absolutisht jo. Unë nuk kam shkuar kurrë në Europian, për mua është një ëndërr dhe mendoj vetëm për atë. Jeta dhe futbolli është çmenduri.

Unë kam jetuar thuajse gjithçka në futboll, mendoj se nesër është një ditë e re. Unë nuk e kisha menduar kurrë se një ditë do të isha trajner i Shqipërisë. Kam bërë një zgjedhje të shkëlqyer me Shqipërinë. Më pëlqen të jetoj në Tiranë, jam i lumtur këtu, arrita një objektiv të mahnitshëm. Do të rinovoja lehtësisht, jam shumë i lumtur”.

Kthesa pas startit me humbje në fushën e Polonisë: “Pas humbjes me Poloninë pashë një skuadër të organizuar. Në dhomat e zhveshjeve kuptova se lojtarët kishin shumë dëshirë të punonin. Kjo ishte një shenjë pozitive, nuk pashë dekurajim prej humbjes. Më pas morëm 6 pikë dhe po të më pyesësh për vazhdimin, do të them edhe pas 50 vitesh që ndeshja në shtëpi me Poloninë ishte domethënëse për ne”.

Shiriti i kapitenit kaloi nga Berisha dhe Hysaj te Gjimshiti. Trajneri kuqezi shpjegon pse ky ndryshim me të në stol: “Gjimshitin e bëra kapiten sepse është shumë i qetë. I kam parë ndeshjet e Shqipërisë, kombëtarja kishte nevojë për një kapiten të qetë në fushë dhe ai e transmeton këtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit