Nga kombëtarja kuqezi, finalja e Tiranës dhe puna me Mourinhon, rrëfehet për gjithçka Kumbulla

28 Maj 2022
14:14
Alfred Lleshi

Edicioni i parë i Ligës së Konferencës ka qenë një sukses i plotë. Roma doli kampione duke mposhtur Feyenoord (1-0) në finalen e luajtur në “Arena Kombëtare” të Tiranës. Skenari nuk ishte i rastësishëm. Është pjesë e idesë së UEFA-s për ‘demokratizimin’ e futbollit duke iu dhënë rëndësi federatave dhe ekipeve me koeficientin më të keq. Kjo është fryma e vërtetë me të cilën lindi ky kompeticion i ri kontinental për klubet.

Në Shqipëri ishte një lojtar i Romës që ndihej si në shtëpinë e tij. Padyshim që po flasim për Marash Nikolin Kumbullën (Peschiera del Garda, 08.02.2000). Qendërmbrojtësi verdhekuq, i marrë në vitin 2021 nga Hellas Verona për 26.5 milionë euro, ka lindur në Itali, por emri i tij tregon rrënjët e tij shqiptare. Madje, ai ka qenë tashmë 14 herë ndërkombëtar absolut me kombëtaren e drejtuar nga Edoardo Reja.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Marash Kumbulla (@maxkumbulla)

“Të fitoja Ligën e Konferencës në Tiranë do të thotë shumë për mua. Është shumë e veçantë. Shqipëria është vendi im, i prindërve të mi dhe i gjithë familjes sime. Është e vërtetë që kam lindur në Itali, por e identifikoj veten me këto ngjyra dhe kam një detyrë të përfaqësoj mirë popullin tim”, – rrëfen Kumbulla për “MARCA”.

Qendërmbrojtësi i Romës justifikoi rëndësinë e vendit të finales: “Shqipëria nuk kishte pasur kurrë mundësinë të priste një finale të një ngjarjeje kaq të rëndësishme. Unë si shqiptar jam shumë i emocionuar që e fitova titullin e parë të karrierës në Tiranë. Në fund të finales kërkova një flamur dhe nuk e hoqa. Tani, si kombëtare kemi synime të rëndësishme. Duam të bëjmë mirë në Ligën e Kombeve dhe të përpiqemi të futemi në ‘Euro 2024’.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Marash Kumbulla (@maxkumbulla)

Gëzimi i Tiranës vërshoi, aq më tepër nëpër rrugët e Romës: “Kurrë nuk e kisha parë diçka të tillë në jetën time. Kur u kthyem në Romë na prisnin njerëz në aeroport dhe më pas në qytetin sportiv… Festimet një ditë më pas ishin drithëruese. Rrugët ishin plot dhe njerëzit nuk pushonin së kënduari. Tifozët e Romës janë shumë të pasionuar, e duan klubin. Ne lojtarët duhet t’i nderojmë këto ngjyra”.

Kumbulla mbeti pa minuta në finale, por ishte një futbollist i rëndësishëm për José Mourinhon: “Në skuadër të gjithë ndihemi të rëndësishëm. Për mua ka qenë një sezon shumë i rëndësishëm, i rritjes. Kam luajtur 28 ndeshje, duke përfshirë ndeshje të rëndësishme si në Ligën e Konferencës ashtu edhe në Serie A. Padyshim që jam ambicioz dhe dua të përmirësohem, por jam krenar për rrugën time të deritanishme”.

E ardhmja e tij, të paktën në afat të shkurtër kalon nga “Olimpico”: “Trajneri më është përgjigjur tashmë në prag të finales kur tha se jam ende 100% në planet e Romës. Meqë Mourinho e tha këtë, nuk kam asgjë më shumë për të shtuar”.

Në fakt, Kumbulla vlerëson menaxhimin e Mourinhos: “CV-ja e tij flet vetë. Ai është një trajner fitues dhe me të mund të përmirësohesh, qoftë edhe nga pikëpamja mendore. Ai u kujdes shumë për ne para finales. Ndihesha shumë i sigurt për fitoren. Insistoj, për mua dhe shumë kolegë ka qenë një sezon rritjeje”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by AS Roma (@officialasroma)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit