Nga Lautaro te Conte, merkatoja dhe objektivat; Marotta “bekon” Interin kryesues

2 Dhjetor 2019
15:45
Alfred Lleshi
back button

“Ne jemi të kënaqur me rrugën që kemi ndjekur që nga fillimi i sezonit, me udhëzimet e dhëna nga Suning dhe të zbatuara nga menaxhmenti i klubit. Merita kryesore shkon për pronarin, që garanton stabilitetin ekonomik dhe financiar. Ne e ngritëm stekën që në sezonin e kaluar, por duhet të punojmë fort e përditë, jo të vetëkënaqemi”. Kështu shprehet Beppe Marotta, drejtori i përgjithshëm i zonës sportive të Interit, pasi zikaltrit e parakaluan Juventusin në krye të Serie A.

Në përfundim të asamblesë së ligës (Lega Calcio), Marotta u ndal edhe te merkatoja e janarit: “Vlerësimet do të bëhen si duhet, për të kuptuar nëse është e mundur ta përforcojmë grupin. Nevojat janë në disa role, edhe për shkak të emergjencave të krijuara nga dëmtimet. Por, duhet të jemi realistë, janari është i kufizuar në mundësi të spikatura. Pastaj, kam shumë respekt për këtë grup lojtarësh. Skuadra po përgjigjet shumë mirë ndaj indikacioneve të trajnerit, siç pamë kohët e fundit me Borja Valero”.

Dueti Lukaku-Lautaro (LuLa) po i bën fansat zikaltër të ëndërrojnë. Marotta i “bekon” sulmuesit në fjalë, ashtu si Interin kryesues të Serie A: “Ekziston alkimia e duhur midis dy lojtarëve me shumë vlera, por, gjithashtu, tek ata mund të shikoni dorën e trajnerit Conte. A do ta blindojmë Lautaro me një rinovim kontrate? Tani për tani nuk është e nevojshme, ai është një djalë i mirë, mirënjohës ndaj Interit. E di se sa e vlerësojmë ne dhe cilat janë perspektivat tona të rritjes. Interi me siguri nuk dëshiron ta privojë veten nga yjet e tij”. Në fund, disa fjalë për Conte: “Po punon shkëlqyeshëm. Ne nuk i kërkojmë atij që të fitojë menjëherë, por të shfrytëzojë sa më shumë burimet njerëzore në dispozicion. Ai po e bën këtë në mënyrën më të mirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit