Nga periferia në 1/8 finale të Champions-it, Djimsiti rrëfen mrekullinë e tij italiane

14 Shkurt 2020
14:14
Alfred Lleshi
back button

Berat Djimsiti nuk është më ai lojtari normal i Atalantës. Tashmë po flasim për një mbrojtës të pazëvendësueshëm te bergamaskët. Ndoshta pa u vënë re nga askush, shqiptari është bërë një nga pikat kryesore të skuadrës së tij, aq sa kryeson me minutat e aktivizimit (1781 minuta, madje më shumë se Gomez, i cili ka 1748 të tilla). Djimsiti foli për “Gazzetta dello Sport”, duke analizuar momentin personal në karrierë dhe të Atalantës. E nisi me sfidën e Ligës së Kampionëve: “Ne mendojmë se ekziston një mundësi për kualifikim. Kemi besim, sepse jemi duke kaluar një periudhë të mirë. Sidoqoftë, Valencia ka më shumë përvojë. Kemi 50% shanse për të ecur përpara”. 

Më tej, një vlerësim për Rodrigo, kundër të cilit duhet të luajë në Champions: “Ai është një lojtar i nivelit më të lartë, në të vërtetë ishte gati ta blinte Barcelona. Tashmë pres të përballem me të. Është shumë i fortë, por nuk kam frikë nga askush. Jam mësuar të përballem me sulmues të mëdhenj në Itali”. Po kush do ta mendonte se futbollisti me mbiemrin e vështirë për t’u artikuluar nga italianët, me një të kaluar mes huazimeve anonime (Avellino dhe Benevento), këtë sezon do të luante 25 ndeshje si titullar me Atalantën? “Të luajturit kaq shumë të jep besim. Të jem i sinqertë, nuk e prisja”, – sqaron Djimsiti. 

Ai aplikoi një model efikas të rritjes së vazhdueshme: “Ne duhet të përmirësohemi gjithmonë. Gasperini vazhdimisht na e përsëris këtë. Për Atalantën, dua që ky të jetë një sezon tjetër i rëndësishëm”. Po për vete, çfarë pret? “Unë jetoj në të tashmen, nuk mendoj për të ardhmen”, – përgjigjet shqiptari. Nëse e tashmja është kaq e ndritshme, e ardhmja është plot angazhime. Duke nisur nga Roma në kampionat, nesër. Të mërkurën, më 19 shkurt, që është ditëlindja e tij e 27-të, do të sfidojë Valencian në 1/8 finale të Champions-it: “Janë sfida shumë të bukura dhe të vështira. Personalisht, mendoj se janë kundërshtarë brenda mundësive tona”. Dhe intervista vazhdon…

Nuk keni preferencë mes dy kundërshtarëve të radhës?
Të dy vlejnë shumë. Valencia për të qëndruar në Ligën e Kampionëve, Roma për t’u konsoliduar në renditjen e Serie A.

Sa vendimtare është ndeshja e nesërme? Nëse mundni Romën, epërsia juaj ndaj verdhekuqve do të shkonte në gjashtë pikë…
Në Serie A çdo gjë mund të ndodhë. Pas Romës do të kemi edhe 14 sfida të tjera deri në fund të kampionatit. Përdorim lojën për të kuptuar se ku jemi dhe cilat janë cilësitë tona. Ndeshjet janë të gjitha të ndryshme dhe ne përballemi me to një nga një. Pavarësisht nëse fitojmë apo humbasim, nxjerrim përherë mësime.

Ju rikuperuat, gjithashtu, tri humbjet e para në Europë dhe arritët të kualifikoheshit në grup…
Deri më tani, performanca jonë më e mirë ka qenë në “San Siro”, ndaj Dinamo Zagreb (fitore 2-0). Kundër Shakhtar Donetsk, në Ukrainë (0-3) kemi luajtur një ndeshje të kujdesshme dhe plot përqendrim. Tani, le të përpiqemi ta vendosim Valencian në vështirësi. Unë nuk mendoj se ka favoritë. Spanjollët kanë më shumë përvojë, por ne kemi besim. Në Europë kemi mundësinë për t’u përmirësuar më tej.

Po ju si mbrojtës, a ndjeheni të përmirësuar?
Më parë, unë luaja pothuajse gjithmonë në mes (qendër). Tani aktivizohem shpesh në të majtë dhe më duhet të marr më shumë pjesë në lojë. Një vështirësi e mëtejshme që më bëri të rritem.

Ju arritët në Bergamo në fillim të vitit 2016. Por, pas huazimeve tek Avellino dhe Benevento, u stacionuat mbi baza të përhershme tek Atalanta vetëm për dy sezone…
Një vit e gjysmë më parë ishte pika e kthesës. Nuk më duhej të qëndroja tek Atalanta, por përkundrazi, mbeta këtu. Në atë moment kuptova se sa e nevojshme ishte të tregoja gjithë vlerën time. T’i tregoja trajnerit se edhe unë isha aty.

Sot është dita e Shën Valentinit. Ku do ta kaloni?
Në “Zingonia”, me shokun tim të dhomës, Robin Gosens. Meqenëse jemi në dhomë bashkë, ai gjithmonë shënon. Sa për mua, shpresoj të shënoj disa gola në ndeshjet e ardhshme.

Cila është dhurata për të dashurën tuaj, Alisa?
Lule.

Asgjë tjetër?
Dhurata tjetër jam unë (qesh).

Duke u kthyer në fushë… Thatë se nuk mund të zgjidhni midis Romës dhe Valencias, por mund ta bëni këtë midis sulmuesve të tyre? Dzeko apo Rodrigo?
Dzeko është kampion. Rodrigo është shumë i fortë, por nuk më tremb. E takova vite më parë, në ekipin kombëtar U-21, kur isha akoma duke luajtur me Zvicrën.

Sot jeni një element kryesor i kombëtares shqiptare, e drejtuar nga Edy Reja…
Me të në drejtim të ekipit kombëtar gjërat janë më të mira. Reja-n e kam pasur trajner edhe tek Atalanta. Ai më bëri të luaj pak (buzëqesh).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit