Nga Pogba te trajneri Motta, ja si Leonardo kishte bërë gati “revolucionin” e radhës te PSG

1 Korrik 2022
14:53
Alfred Lleshi
back button

Paul Pogba, Sadio Mané dhe Ousmane Dembélé ishin projektuar si përforcime, pjesë e rindërtimit të PSG nga ish-drejtori sportiv, Leonardo. Ky i fundit, gjithashtu synonte të zëvendësonte Mauricio Pochettino me Thiago Motta, sipas “Le Parisien”.

Të gjitha planet e Leonardos shkuan dëm, kur iu tregua dera e largimit në fund të majit. Edhe pse largimi i tij nuk u zyrtarizua kurrë, ai është zëvendësuar nga ish-drejtori sportiv i Lille, Luis Campos.

Campos po këmbëngul për më pak transferime “yjore”, si Vitinha, i cili u bë nënshkrimi i parë i epokës së re, të enjten. Leonardo ishte më shumë për të njëjtën gjë; vazhdimësinë e politikës së rekrutimit të yjeve, emrave të mëdhenj. Ishte ajo strategji që pa ardhjen e Lionel Messit, Sergio Ramos, Gianluigi Donnarumma Georginio Wijnaldum merkaton e verës së kaluar.

Sidoqoftë, jo të gjitha këto transferime e shpërblyen veten siç pritej. Leonardo, megjithatë nuk ishte i dekurajuar dhe po planifikonte të sillte më shumë yje të mëdhenj, duke përfshirë Mané, Dembélé dhe Pogba. Dy të fundit do të ishin në dispozicion si transferime të lira.

Mané ndërkohë i është bashkuar Bayern Munich nga Liverpool për një marrëveshje të përhershme. Duke folur për RMC, këshilltari i Mané, Bacary Cissé, zbuloi: “PSG në fakt e ndoqi Mané. Leonardo kishte shumë kontakte me agjentin e tij gjerman. Ata u takuan dhe folën për një transferim të mundshëm. Të gjithë e dinin që Leonardo ishte në fije të perit te PSG, kështu që ne duhej të prisnim”.

Motta ishte gjithashtu zgjedhja e Leonardos për të zëvendësuar Pochettino në stolin e “Parc des Princes”. Ish-mesfushori i PSG-së udhëhoqi Spezia drejt vendit të 16-të në Serie A, sezonin e kaluar, por që atëherë e ka lënë postin në klubin italian.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit