Nga Premier League te burgu për pedofili, lirohet ish-ylli i Anglisë

22 Mars 2019
10:36
back button

Pas 3 vitesh burg, Adam Johnson është lënë i lirë. Ish-fubollisti i Manchester City e Sunderland, i akuzuar në 2016 për pedofili, është liruar nga burgu i Moorland, në Hatfield, pasi kreu 3 vite burg, nga 6 që ishte dënuar.

Mediat në Angli raportojnë se ish-futbollisti, tashmë 31 vjeç, do të jetë nën vëzhgimin e autoriteteve deri në vitin 2022 dhe gjatë kësaj periudhe nuk do të kryejë dot asnjë transaksion bankar me karta krediti dhe nuk do të lejohet ta takojë vajzën e vet, nëse nuk do të jetë e pranishme një punonjëse sociale. Po ashtu, Johnson nuk do të lejohet të ketë ndonjë kontakt me viktimën e tij, Ayla, e cila ishte minorene në kohën kur Johnson u arrestua.

HISTORIA – Ishte 2 mars 2015 kur Johnson, në atë kohë një ndër yjet e Sunderland-it në Premier League, u arrestua me akuzën e marrëdhënies seksuale me një minorene, 15-vjeçaren Ayla. Për momentin u lirua duke paguar dhe Sunderland-i e riktheu në ekip.

Megjithatë, më 10 shkurt 2016 Johnson u shpall fajtor nga gjykata e Bradford për ngacmim të një minoreneje të njohur në internet, të cilët më pas e kishte takuar dhe puthur, por pa kryer seks sipas tij. Më 24 mars erdhi dënimi: 6 vite burg, që më pas u ulën në 3. Gjatë qëndrimit në burg Johnson punoi si berber, por nuk iu nda as futbollit.

Gjithsesi, tashmë me futbollin gjithçka ka marrë fund, të paktën në Angli, sepse asnjë klub nuk do pranojë ta regjistrojë. Mundësia e vetme është transferimi në ndonjë kampionat të dorës së dytë, aty ku mund të ketë shumë para dhe pak interes për reputacionin e futbollistëve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit