Nga Qarabag tek Anderlecht, skuadrat shqiptare mësojnë rivalët e turit të tretë

19 Korrik 2021
15:43
Alfred Lleshi

Skuadrat shqiptare, që garojnë ende në Kupat e Europës, konkretisht në “Conferencë League”, në turin e dytë kualifikues të saj, kanë mësuar sot kundërshtarët e ardhshëm, nëse ia dalin të mbërrijnë deri në atë “stacion”. Pra, nëse kualifikohen për në turin e tretë. Si fillim janë sy e veshë nga rivalët e radhës, në turin e dytë, mjaft të fortë për përfaqësueset tona.

Më konkretisht, nëse kalon me sukses Inter Club D’Escalades, skuadra durrsake (Teuta) do të përballet me irlandezët e Shamrock Rovers. Shkëndija e Tetovës duhet të kalojë Riga fillimisht, pastaj mund të ketë të bëjë me njërën skuadër mes Hibernian dhe Folgore.

Prishtina, nëse kualifikohet në turin e dytë ndaj Connah’s Nomads, shorti e vendos kundër njërit mes Valur dhe FK Bodo. Nëse Shkupi fiton me Santa Clara do të sfidojë sllovenët e Olimpija Ljubjana ose Birkirkara e Maltës.

Partizani i Ilir Dajës ndeshet me Basel në turin e dytë, një kundërshtar tepër i vështirë. Nëse e kalojnë Taulant Xhakën me shokë, të kuqtë përballen me fituesin e duelit të hungarezëve të Ujpjest dhe Vaduz nga Lihtenshtejni. Drita po përgatitet për raundin e dytë me Feyenord, por nëse bën mrekullinë do të përplaset me zviceranët e Luzern.

Vllaznia, po likujdoi AEL Limassol në turin e dytë, i bie të ndeshet me fituesin e çiftit Qarabag-Ashdod. Sa i takon Laçit, nëse eliminon rumunët e Craiova, do të duhet t’i bëjë llogaritë me një gjigant si Anderlecht i Belgjikës.

Kjo është “fotografia” hipotetike, ndërkohë që skuadrat shqiptare janë tërësisht të fokusuara te turi i dytë, i cili nuk është kurrsesi i lehtë për t’u kaluar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit