Nga Rumania në Bullgari, talenti shqiptar firmos për ekipin e Bozhinov

14 Janar 2019
11:51
back button

Në Shqipëri e kemi harruar, por para disa vitesh FSHF arriti t'ia rrëmbente Bosnje-Hercegovinës U17 dhe Foto Strakosha e grumbulloi me Shqipërinë U19. Bëhet fjalë për Drilon Cenaj, mesfushor nga Gjakova, i cili ka pasaportë shqiptare dhe boshnjake.

Pjesë e Salernitana-s në sezonin 2016/17, Cenaj kaloi në Bosnje, Kroaci dhe vitin e shkuar u bë pjesë e Pandurii, në Ligën 2 rumune, ku më në fund shpërtheu, duke luajtur rregullisht e duke pasur rendiment të lartë.

Këtë janar mesfushori ka vendosur të ndryshojë ekip e kampionat, për shkak të krizës financiare te klubi rumun.

Ekipi i tij i ri është Botev Vratsa, klub i mestabelës në kampionatin bullgar. Një hap i rëndësishëm përpara për Cenaj, sepse është vetëm 21 vjeç dhe nëse arrin të spikatë edhe në Bullgari, shumë shpejt do të hedhë hapa të tjerë të mëdhenj përpara në karrierë.

"Dua të falënderoj klubin tim, Pandurii, për vitin që kaluam së bashku. Nuk ishte vit i lehtë, por ishte i rëndësishëm për mua. Kam mësuar shumë dhe kam vetëm fjalë të mira për klubin, njerëzit, stafin dhe tifozët. Shpresoj ta shoh këtë skuadër në majë, aty ku e meriton. Faleminderit, edhe një herë", shkruan Cenaj në rrjetet sociale, në lamtumirën që i ka dhënë Panduriit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit