Nga shpërthimi ndaj klubit tek epidemia e dëmtimeve, Conte nuk zbutet fare…

8 Nëntor 2019
14:31
Alfred Lleshi
back button

Pas mbrëmjes së keqe në Ligën e Kampionëve, për Antonio Conte është koha të “zhytet” përsëri në Serie A. Trajneri zikaltër iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në qendrën mediatike të “Appiano Gentile”. Këto janë fjalët e para të tij: “Verona? Do të na duhet të përballemi me kujdes, duke e ditur që është një kundërshtar i shëndetshëm, që organizohet mirë dhe ushtron presion. Duhet të jemi shumë të përgatitur. Nuk do të jetë një ndeshje e thjeshtë. Nevojitet qetësi, për të superuar edhe zhgënjimin e Dortmundit. Kjo është pjesë e procesit të rritjes”.

Pastaj, një shpjegim edhe për shpërthimin e tij, pas humbjes me Borussia Dortmund: “Unë nuk e shoh në atë prizëm, ju ndoshta e shikoni në këtë mënyrë. Është një mënyrë të shprehuri, por me sfond konstruktiv. Duhet të përpiqemi të kuptojmë se ku janë bërë disa gabime. Unë nuk ia tregova askujt gabimet dhe nuk u futa në të tilla detaje publikisht. Nuk e di si e shikoni ju, por unë kam bërë deklarata konstruktive. Jam thirrur për t’i ndryshuar xhirot e motorit të Interit, jo për të mbajtur ato të 9 viteve të fundit. Nëse them e bëj diçka, kjo është për të mirën e këtij ekipi. Duhet të kuptojmë se shumë gjëra nevojitet të bëhen më mirë, sepse jemi Interi. Kur jemi në diskutime private me drejtuesit dhe menaxherët e klubit, e pranojmë këtë situatë. Nuk kam probleme me ta, ne ndajmë të njëjtin mendim”.

Disa fjalë edhe për dëmtimet e shumta: “Këto situata duhet të na bëjnë të mendojmë. I shqetësuar? Unë u besoj shumë këtyre djemve, sepse po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme në vështirësi të mëdha. Kjo është një vështirësi objektive, e përjetuar në këto kohë. Pa dyshim që ekziston një shqetësim, nga njëra anë sepse grupi është zvogëluar, por gjithashtu kam shumë besim te këta djem. Ata po japin shpirtin dhe unë shoh shumë hapësirë për përmirësime në këtë grup. Lautaro është 22 vjeç, Barella 23 vjeç, njësoj Sensi, Bastoni, Skriniar. Edhe Lukaku është 26 vjeç. Një grup i ri, që mund të ndërtohet. Nga ana ime ekziston dëshira për ta ngritur “stekën”. Ne jemi Interi, një ekip i shkëlqyer, që duhet të kthehet për të garuar në majë. Unë ua kujtoj këto të gjithëve, në mënyrë konstruktive, sepse jam i pari që shqetësohem për çdo gjë”.

Në kushtet e infermierisë plot, Conte duhet të modifikojë për formacionin titullar: “Midis Fonseca dhe Vergani, unë nuk shoh shumë alternativa. Sidoqoftë, kam besim të madh te Lukaku, te Lautaro, por edhe Esposito. Nuk do të kisha frikë t’i aktivizoja që nga minuta e parë. Do të rritemi, do ta kapërcejmë këtë periudhë, që na privon nga alternativat. D’Ambrosio është stërvitur me ne për një javë, ndjehet pak i mërzitur, por riaftësimi nuk vjen sot për nesër. Po flasim për një djalë me bujari të jashtëzakonshme. Për Sensin, ai po mundohet pak nga pak për t’u rikuperuar, vetë po e menaxhoj atë. Të shohim se çfarë situate do të ketë për nesër, do të bëjmë vlerësimet përkatëse”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit