Nga Spanja flasin me siguri: Manchester United synon “bishën” e Real Madridit

17 Gusht 2022
8:30
Alfred Lleshi
back button

Me Cristiano Ronaldon që vazhdon të kërkojë largimin dhe dy humbje radhazi, Manchester United po kërkon përforcime që të ndryshojë fytyrën e një fillimi makthi të sezonit. Përveç një ose dy sulmuesve, veçanërisht nëse CR7 do të largohet, duhet një pikë e fortë për mesfushën e trajnerit të ri Erik Ten Hag.

Ai mund të vijë nga Spanja. Sipas “Marca”, në fakt, drejtuesit e “Djajve të Kuq” janë në Madrid dhe ndër objektivat për të cilët po punojnë është Casemiro, mesfushori brazilian i Real Madridit, të cilin e mendojnë si një përforcim të mundshëm.

Gazeta spanjolle, në edicionin e saj online nënvizon se Casemiro “është një pikë fikse për Ancelotti, me të cilin ka një bashkëpunim të veçantë”, por gjithashtu shpjegon se “në klubin e bardhë askush nuk iu shpëton rregullave të tregut. Te Real Madridi janë shtatë mesfushorë dhe të gjithë, siç u dëshmua kundër Almerias, mund të zënë pozicione të ndryshme”.

Prandaj largimi i brazilianit nuk është i pamundur. “Janë edhe dy javë përpara dhe merkatoja, – përfundon ‘Marca’, – rezervon gjithmonë surpriza në ditët e fundit”.

Një blerje e mundshme e Casemiro mund të përjashtojë përfundimisht ofertën e minutës së fundit të Manchester United për Milinkovic-Savic, i cili duket gjithnjë e më shumë i destinuar të qëndrojë te Lazio. Duhet kuptuar gjithashtu nëse ardhja e brazilianit do të ishte një alternativë ndaj blerjes së mundshme të Rabiot, i afruar së fundi me këmbëngulje te “Djajtë e Kuq”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit