Nga spastrimi në rikonfirmim; Kumbulla ‘pushton’ Mou dhe përpiqet të rifitojë Romën

20 Janar 2022
9:36
Alfred Lleshi
back button

“Njerëzimi do të ketë fatin që do të dijë ta meritojë”, – thoshte Albert Einstein. Diçka di për këtë Kumbulla, i cili arriti të ndryshojë statusin e tij në Romë, nga ‘mëkatar’ në i dobishëm për kauzën. Certifikimi erdhi nga vetë Mourinho pas fitores së mundimshme të së dielës ndaj Cagliarit.

“Për mua, Marash ishte më i miri në fushë, – shpjegoi trajneri portugez. – Ai zhvilloi një lojë fantastike. Kjo më jep kënaqësi të madhe, pasi kishte një periudhë të vështirë, kur unë isha i ashpër me të. Marash qëndroi i qetë dhe i përulur”.

Referenca e kritikave të forta të Mourinhos për shqiptarin është nga disfata e Bodos. Kumbulla ishte ndër më të këqijtë në humbjen turpëruese 6-1, të pësuar nga verdhekuqtë në Norvegji. Ashtu si Diawara, Reynolds, Calafiori, Villar dhe Borja Mayoral.

Ai përfundoi jashtë skuadrës, por ishte i pari që u imponua me angazhimin e treguar në stërvitje. Pak nga pak gjeti hapësirë ​​edhe në fushë dhe në katër ndeshjet e fundit, në të cilat luajti 90 minuta, Roma ka fituar gjithmonë.

Në ndeshjen e fundit ndaj Cagliari mori edhe komplimentet e “Special One”, urime që i dhanë konfirmimin në skuadër, pavarësisht merkatos së hapur dhe ofertave që nuk i munguan. Torino, për shembull, ishte ndër skuadrat më të interesuara, me trajnerin Juric, i cili me kënaqësi do ta kishte ripërqafuar mbrojtësin shqiptar, tashmë të stërvitur në Verona.

Megjithatë, fillimisht Tiago Pinto dhe më pas Mourinho bllokuan gjithçka. Drejtuesit verdhekuq e vlerësojnë shumë Kumbullën. Duke marrë parasysh moshën e tij (është vetëm 21 vjeç), shumë në Trigoria mendojnë se nuk duhet humbur 23 milionë euroshi. Sonte do të jetë sërish në fushë ndaj Lecce. Dhe të mendosh se as dy muaj më parë, trajneri e kishte masakruar me kritika publikisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit