Nga turpi me Shqipërinë tek Euro 2016 dhe Nations League, përralla e Portugalisë

10 Qershor 2019
14:33
Denis Hakanaj
back button

Portugalia ka mundur 1-0 Holandën në finalen e luajtur në "Estadio do Dragao" të dielën në mbrëmje dhe ka fituar edicionin e parë të Nations League. Sfida e Portos është vendosur nga ylli i Valencia-s, Gonçalo Guedes, një nga simbolet e kursit të ri luzitan. 

Një cikël fitues, që ka filluar saktësisht më 23 shtator të 2014-ës, data kur në stolin e Portugalisë është ulur Fernando Santos. Ka qenë pikërisht trajneri ekspert nga Lisbona, në fakt, arkitekti i rilindjes së futbollit portugez në vitet e fundit. 

Santos ka bërë të harrohet shumë shpejt katastrofa në Botërorin e Brazilit dhe humbja pasuese e pësuar në shtëpi në ndeshjen e parë të fazës kualifikuese për Euro 2016-të kundër Shqipërisë, që tronditi portugezët dhe botën e futbollit falë një magjie të Balaj. 

Katër ditë pas asaj disfate, Federata Portugeze e Futbollit vendosi të shkarkojë trajnerin Paulo Bento dhe ta zëvendësojë atë më Fernando Santos, i cili i dha një lojë Cristiano Ronaldo-s me shokë dhe i udhëhoqi drejt triumfit në Europianin e Francës. 

Nuk është një rastësi që 64-vjeçari është bërë trajneri i parë që ka fituar një trofe ndërkombëtar në drejtim të Portugalisë, e cila, pas vendit të tretë në Kupën e Konfederatave të 2017-ës dhe një Botërori zhgënjyes në Rusi (eliminim në 1/8-at kundër Uruguait), ka siguruar një tjetër trofe të paharrueshëm. 

Meritë e një grupi të kombinuar shumë mirë, me përzierjen e duhur mes kampionëve, si Ronaldo dhe Bernardo Silva, dhe të rinjve premtues, si Guedes, Ruben Dias dhe Ruben Neves. Santos ka edhe luksin që të presë pa u nxituar heronjtë e mundshëm të së ardhmes, si 19-vjeçari Joao Felix, në stol për 90 minuta gjatë ndeshjes kundër Holandës. 

Gishti tani është i drejtuar nga Euro 2020, një tjetër kompeticion i madh, ku Portugalia do të kërkojë të jetë protagoniste. Oreksi vjen duke ngrënë dhe kombëtarja e Fernando Santos duket shumë e uritur. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit