Nga Zaniolo te balotazhi në sulm, Mancini rrëfen Italinë e tij para “Euro 2020”

18 Janar 2020
10:30
Alfred Lleshi
back button

I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, së bashku me Arrigo Sacchi, trajneri i kombëtares së Italisë, Roberto Mancini, foli për aventurën e tij në funksion të Kampionatit Evropian, që do të luhet në qershor.

FILOZOFIA – “E kujtoj shpesh atë që ka thënë Cruijff: Italia nuk mund të fitojë, por kundër saj mund të humbasësh. Kjo është ajo që duhet të ndryshojmë. Të mendojmë se pa shënuar gola, herët a vonë, nuk fitohet dot në futboll. Pra, të mos përqendrohemi vetëm si të mbrohemi. Që ditën e parë si trajner i Italisë iu thashë lojtarëve: Ne duhet të bëjmë diçka ndryshe, përndryshe kombëtarja nuk do të ketë perspektivë. Nuk mund të vazhdonim duke fituar 1-0. Ne rrezikojmë dhe, nëse pësojmë gola, duhet durim. Ka shumë të drejtë Arrigo; pas golit të parë duhet të kërkoni të dytin dhe të tretin… Lojtarët e pëlqejnë lojën sulmuese dhe duan të fitojnë. Ata argëtohen në ekipin kombëtar. Në fakt, ata më ndjekin me entuziasëm. Ne i fituam të gjithë”.

GRUPI – ”Ky është një grup i shëndetshëm, i djemve të mirë. Kur Chiesa, Barella, Mancini, Pellegrini shkuan në Kampionatin Europian U-21, ata ishin ndër më të mirët. Dikush tjetër pak më pak…”

ZANIOLO – “Më vjen keq, ai do të ishte përmirësuar më tej. Nicolò është unik, sepse mbulon role të shumta. Ai është i fuqishëm dhe ka karakteristika të ndryshme nga të tjerët. Fola me të në telefon dhe m’u duk mirë psikologjikisht, pas operacionit. Ai është i ri, mund të bëhet gati për Kampionatin Europian. Tonali është duke u rritur, ai duhet ta matë veten në nivele të larta. Castrovilli, sa më shumë të luajë, aq më mirë për të”.

SULMI – “Belotti apo Immobile? Në mars, ata do të luajnë nga një miqësore secili. 20 golat e Immobile nuk i ndryshojnë hierarkitë. Gjëja e rëndësishme është që ata të vazhdojnë të shënojnë dhe të arrijnë në formë sa më të mirë në qershor. Ne do të kemi dy “pronarë” të qendrës së sulmit, me karakteristika të ndryshme”.

CHIESA – “Ai luan në një pozitë ndryshe, nuk është një sulmues i parë. Lufton “pas derës”. Ka nevojë për mjedisin e duhur përreth, në krah do të bëhet shkatërrues. Ai duhet të mendojë se një Europian i madh po e pret. Unë i thashë babait të tij: Thuaji të jetë i qetë, se kështu gjen paqe dhe gëzim. Të mendojë vetëm për futbollin, talentin e tij nuk e kanë të gjithë. Është një privilegj i natyrës”.

BERNARDESCHI – “Ai duhet të japë më shumë. Ka vrapim, cilësi në goditje, por duhet të korigjojë disa gabime të tjera. Në fakt, ka bërë mirë gjithmonë në ekipin kombëtar”.

LOCATELLI DHE BERARDI – “Locatelli është rritur shumë te Sassuolo, gjithashtu mund të bëhet i rëndësishëm për ne, pas Kampionatit Europian. Me potencialin që ka Berardi, sot duhet të jetë një yll i futbollit Italian”.

BALOTELLI – “Unë e ndjek atë çdo ndeshje. Mendoj se Mario duhej të kishte shënuar së paku një gol për ndeshje dhe gjithmonë të vraponte si i çmendur te Breschia”.

KEAN – “Shpresojmë që Ancelotti t’ia japë një dorë. Që të bëhet i rëndësishëm, ai duhet të luajë rregullisht e të bëjë më shumë”.

PROBLEMET NË TË MAJTË – “Emerson nuk po luan tani, as De Sciglio. Florenzi ka pasur momente të vështira në Romë, Biraghi po lëkundet, Di Lorenzo luan pak në mes dhe pak në pjesën e jashtme, Spinazzola ka cilësi, por është pak i përdorur. Momenti është paksa delikat, por do të më duhet të zgjedh prej këtyre. Nga këtu deri në qershor shpresoj të paktën që ata të luajnë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit