Nica, kritik ndaj Laçit: Lojtarë të pastërvitur, dua ushtarë dhe jo gjeneralë…

5 Dhjetor 2020
16:06
Alfred Lleshi
back button

Nga fitorja tenistike me Apoloninë te vuajtja në Korçë. Laçi i këtij sezoni të bën me “dhimbje koke”, nuk ka qëndrueshmëri dhe vazhdimësi. Ikja e Cungut dhe “gradimi” i radhës i Stavri Nicës u pa si zgjidhje e ngërçit, por barazimi i sotëm “in extremis” me Skënderbeun dëshmon se gjërat nuk janë në rregull. Trajneri durrsak u shpreh:

“Çfarë i mungoi Laçit? Ajo që gjykoj unë është se skuadra funksionoi mirë taktikisht, deri në momentet e manovrës në sulmin lart. Lojtarët duhet të veprojmë më thjeshtë me topin dhe pasin. Duhet kujdes, sepse kemi probleme teknike. Iu thashë lojtarëve që Skënderbeu ka lojtarë të mirë, që duan të promovohen. Te Laçi nuk kanë shumë qejf të binden, por duhet të kuptojnë se këtu vendos trajneri. Kjo skuadër duhet të ketë shpirt gare dhe intelekt, jo vetëm lojtarë të mirëpaguar. Ushtarë dhe jo gjeneralë? E saktë, nuk ke ç’i shton këtij përcaktimi.

Misioni im te Laçi? E thashë që kam 2 muaj që stërvis U-21, nuk jam nga ata që rri disa kohë dhe vij e stërvis. Kam mentalitet që merrem çdo ditë me punë. Duke parë dhe duke bërë. Nëse presidenti bindet dhe skuadra ecën, duhet të rri. Skuadra duhet ta dijë që drejton trajneri.

Mazrekaj? Të marrë minuta aq sa ka mundësi. Vjen nga një moment pushimi dhe aq sa hyri kishim tranzicion, duhej të vraponte. Fizikisht ka probleme, ai dhe një pjesë e lojtarëve të tjerë, sepse kanë bërë ditë pushimi.

Investimi i këtij sezoni, më cilësori në vitet e fundit? Ekipi është i kompletuar, ka lojtarë cilësorë, por nuk janë të stërvitur mirë. Ka mangësi në stërvitje. Duhet të plotësohet skuadra me 11 dhe më pas të punohet. Të ketë lojtarë që mbajnë peshën në fushë. Jam detyruar që të kompletoj skuadrën me pesë ndërrime dhe kjo është shumë e vështirë. Këto dy ndeshje kam bërë 10 ndërrime”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit