Barcelona në verë kishte interes për Nico Williams, sidomos pas suksesit të tij në Kampionatin Europian. Lamine Yamal e ka shok të ngushtë dhe e ka kërkuar publikisht bashkimin me të në “Camp Nou”.
Klubi, megjithatë, ka ndryshuar mendje. Katalanasit mendojnë se pozicioni i spanjollit është i plotësuar mirë me Raphinha dhe Ferran Torres. Pika e dobët që kërkon një investim të madh është qendra e sulmit, sepse Robert Lewandowski është në dy-tri vitet e fundit të karrierës.
Sipas mediave spanjolle, emrat që po shqyrton Barcelona janë tre:
Lautaro Martinez – Emri i tij është përmendur për disa vite me radhë në mediat katalanase. Argjentinasi konsiderohet një nga më të mirët në botë në rolin e tij. Problemi është kostoja. Interi kërkon minimalisht 90 mln euro për të.
Victor Osimhen – Ndryshe nga sa flitej para një viti, nigeriani tashmë është më i lirë. Ai nuk ka më vend te Napoli dhe pas huazimit 1-sezonal te Galatasaray do të shitet nga klubi italian. Vlera e tij në treg llogaritet 70 mln euro. E kërkon edhe Juventusi.
Viktor Gyökeres – Sulmuesi i Sportingut është njeriu i momentit në 5 ligat kryesore europiane. Askush nuk ka shifrat e tij, por klauzola e lartë e pengon të ndryshojë skuadër. Portugezët duan 100 mln euro dhe kjo shifër nuk diskutohet.