Nis java e Lewandowskit, përafrohen kërkesa dhe oferta. Ja detajet e samitit Bayern-Barcelona

20 Qershor 2022
8:17
Alfred Lleshi
back button

Nënshkrimi i Robert Lewandowski nga Barcelona duket se do të hyjë në fazën e fundit. Kështu bëjnë me dije nga Gjermania. Këtë javë, në të cilën sapo kemi hyrë,  do të organizohet takimi negociues mes klubit Blaugrana dhe Bayernit.

Barça ka qenë pas sulmuesit polak që nga fundi i sezonit dhe po maturon operacionin, ndërsa priste që Bayerni të pranonte të ulej në një tryezë bisedimesh. Në këtë kuptim, klubi bavarez ka mbajtur ritmin e bisedimeve, duke marrë parasysh se Lewandowski ka edhe një vit të mbetur nga kontrata e tij.

Blaugrana-t paraqitën një propozim të parë prej 32 milionë euro, plus 5 të tjera në formë variablash, të cilën bavarezët as e morën parasysh fare. Bayerni e bëri shumë të qartë se nuk do të hapte një negociatë, ndërkohë që nuk kishte një zëvendësues për golashënuesin e vet më të mirë.

Hapi i parë është hedhur me punësimin e Sadio Mané, i cili do të prezantohet si lojtar i ri i Bayernit këtë të martë. Nga ky moment, klubi bavarez do të dëgjojë propozimin që Barça duhet të paraqesë dhe të shpresojë që ai të arrijë të paktën 50 milionë euro.

Dhe kështu do të jetë. Klubi Blaugrana do të prezantojë atë ofertë që do të përfshijë variablat. Logjika tregon se propozimi ‘culé’ do të jetë 40 milionë fikse, 8 më shumë se sa ofroi në fillim, dhe 10 milionë bonuse, 5 më shumë se përpjekja e parë. Nga aty do të bëhet fjalë për afrimin e pozicioneve.

Gatishmëria e Lewandowskit për të luajtur në “Camp Nou” punon në favor të Barçës, por Bayerni ka qenë gjithmonë negociator shumë i ashpër. Me këtë rast, gjithçka sugjeron se bisedimet herët a vonë do të realizohen.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit