Një gjigant i sulmit, Tirana zgjedh futbollistin e saj të shekullit

7 Prill 2020
8:59
Alfred Lleshi
back button

Tirana po kryesonte Superioren dhe ishte në rrugën e fitimit të titullit kampion. Pandemia e “Coronavirus” e ndërpreu vrullin e bardhebluve, ashtu si të krejt futbollit shqiptar, por jo vetëm. Në 100-vjetorin e klubit, Egbo dhe të tijtë vazhdojnë të luten që të ketë sërish dritë në fund të tunelit, në mënyrë që ky sezon futbollistik të mos shkojë dëm. 

Ndërkohë, klubi vazhdon me ngjarje të tjera, të cilat mund të zhvillohen online, në kushtet e karantinës. Kështu, është zgjedhur futbollisti më i mirë i shekullit për bardheblutë. Mes figurave të shumta emblematike dhe legjenda është veçuar Arben Minga, sulmuesi gjigant i 24 herë kampionëve të vendit (i ashtuquajturi 15-katshi), që është ndarë nga jeta para disa vitesh. Përmes faqes në internet, Tirana bën me dije:

“Një shekull histori dhe një numër shumë i madh ikonash bardheblu. Një çmim është shumë pak dhe të shumtë do të jenë emrat që do të vlerësohen në festën e 100 vjetorit. Jo vetëm kaq por cilido që ka kontribuar për fanellën bardheblu do të ketë një vend në historikun e ditëve festive që klubi ka planifikuar.

10 ditë më parë propozuam të zgjidhnin tifozët lojtarin e shekullit bardheblu. Emrat e shënuar në mediat sociale kanë qenë të shumtë, si dhe propozimet për të mos u mjaftuar vetëm me një emër. Me të drejtë, pasi 100 vite histori kampionësh janë shumë. Megjithatë, ky çmim simbolik meriton të jepet pasi tifozët i janë përgjigjur propozimit dhe kanë zgjedhur të preferuarin e tyre.

Arben Minga është më i votuari ndër më të preferuarit e shekullit bardheblu. Në ditët e festës së 100 vjetorit, çmimi për ikonën “15-katëshi Minga”, do të jepet pas përzgjedhjes së bërë nga tifozët”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit