Një gol aksidental dhe një magji përmbysin Lazio-n e Strakoshës, fitore për Veselin dhe Empoli-n

17 Shkurt 2019
17:01
Denis Hakanaj
back button

Lazio është mundur 2-1 në fushën e Genoa-s dhe ka humbur terren ndaj Milan-it në garën për një vend Champions League. Bardhekaltrit kanë qenë në avantazh 1-0 deri në minutën e 75-të falë një goli të Badelj (44') dhe falë pritjeve të jashtëzakonshme të bëra nga Thomas Strakosha në pjesën e parë. 

Gjithsesi, ylli kuqezi dhe ekipi i tij janë ndëshkuar dy herë në 20 minutat e fundit. Sanabria-n (75') ka dërguar pa dashje topin në rrjetë pasi është goditur nga Lucas Leiva, në një tentativë për të spastruar zonën. Përmbysja e vendasve është kompletuar nga Criscito (93'), i cili ka mposhtur Strakoshën me një goditje shumë të bukur nga jashtë zonës. 

Ndërkohë, ka fituar Frederic Veseli me Empolin e tij, që ka mundur bindshëm 3-0 Sassuolo-n në shtëpi dhe ka bërë një hap drejt mbijetesës, duke shkuar në vendin e 16-të nga i 18-ti. 

Kjo ka qenë dhe ndeshja e parë në të cilën toskanët nuk kanë pësuar gol në një sfidë të kampionatit italian që nga takimi i javës së tretë të luajtur 2 shtatorin e kaluar kundër Chievo-s (0-0 në transfertë). 

Krunic (34'), Acquah (37') dhe Farias (60') kanë qenë autorët e golave për vendasit, të cilët janë kthyer të marrin tri pikët në kampionat pas tetë ndeshjesh (6 humbje, 2 barazime).  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit