Një kampion bote në krye, ja 10 sportistët më të paguar francezë më 2018

22 Mars 2019
16:04
Alfred Lleshi
back button

Kampion bote dhe futbollisti më i paguar në Francë më 2018. Ky është “statusi” i sulmuesit të Atletico Madridit, Antoine Grizmann për vitin që shkoi. Ai kryeson listën e sportistëve më të paguar francezë, të publikuar nga “L’Equipe”. Interesant është fakti se 6 nga 10 të parët e kësaj renditjeje janë futbollistë. 

Duke pasur parasysh rinovimin e kontratës me “rojiblanco” verën e kaluar, përfitimet financiare të Griezmann u dyfishuan. Ai kaloi nga 10 në 20 milionë euro të ardhura, vetëm për gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Në këtë rritje të ardhurash ndikojnë edhe kontratat sponsorizuese dhe shpërblimet e suksesit në Botërorin e Rusisë me “gjelat”. Në total, sulmuesi në fjalë ka arkëtuar 33 milionë euro gjatë vitit 2018. 

Pas tij, në vend të dytë, është një tjetër kampion bote, Kylian Mbappe. Talenti i PSG ka arkëtuar 24.7 milionë euro. I treti pozicionohet Paul Pogba, me 22.1 milionë euro të ardhura. Ylli i Manchester United renditet para sulmuesit të “Los Blancos”, Karim Benzema. Ky i fundit e mbylli vitin 2018 me 22 milionë euro të ardhura. 

Nga vendi i pestë deri tek i dhjeti, ky klasifikim vijon kështu:
5. Nicolas Batum (basketboll): 20.9 milionë euro
6. Rudy Gobert (basketboll): 20.6 milionë
7. Ousmane Dembélé (futboll): 19.1 milionë
8. Joakim Noah (basketboll): 17.5 milionë
9. Evan Fournier (basketboll): 15.2 milionë
10. Franck Ribéry (futboll): 14.3 milionë

Lajme të tjera

Lajmet e fundit